Parkingu në “Lakrishtë” ndodhet nën mbikëqyrjen e ndërmarrjes publike “Prishtina Parking”.
Banorët janë paralajmëruar se nga 1 marsi do të gjobiten, nëse paraprakisht nuk kanë paguar për shfrytëzim të parkingut.
Familjet që jetojnë në një banesë dhe kanë më shumë se një veturë, kanë një brengë. Ndërmarrja nuk ua mundëson të shfrytëzojnë më shumë se një hapësirë parkingu. Prandaj, ata i pret gjoba, nëse e parkojnë veturën e dytë aty, ani se janë të gatshëm të paguajnë për të.
Këtu është telefonata e një qytetari me “Prishtina Parking”.
Qytetari: E nëse e la unë veturën e dytë më 1 mars në Lakrishtë, a konfiskohet vetura?
Punonjësja e “Prishtina Parking”: Gjobitesh! Në qoftë se nuk je i regjistruar, gjobitesh.
Qytetari: Po ku me e lanë kerrin e dytë?
Punonjësja e “Prishtina Parking”: A i ke dy banesa, a veç një?
Qytetari: Një.
Punonjësja e “Prishtina Parking”: E valla, po më vjen keq. Veç një veturë ke të drejtë.
Qytetarët rezidentë kësaj lagjeje ankohen se përkundër që e bëjnë pagesën, deri tani nuk e kanë marrë shërbimin që e paguajnë.
“Kjo kontratë lind obligime veç të banorëve ndaj kompanisë, ndaj ndërmarrjes që po e quajnë këta. Na e kemi obligim me pagu, mbrapa nuk marrim asgjë. Pse? Isha të premten në ndërmarrje dhe ata nuk ofrojnë, nuk na sigurojnë që unë do të kem parkim kur vij këtu”, thotë Jahë Balaj, banor në Lakrishtë.
Edhe Violeta Hasani, përfaqësuese e banorëve të zonës në qendër, flet për problemet që kanë banorët në raport me shërbimet e kësaj ndërmarrjeje publike.
“Janë jashtëzakonisht të mëdhaja sepse janë gjobitur qytetarët, janë konfiskuar veturat, janë dëmtuar veturat gjatë konfiskimit, madje kemi raste kur pa asistencën e policisë janë marrë veturat që s’e kanë ditur banorët as kush po ua merr ato vetura. Na e kemi ngrit këtë shqetësim, është ka merret drejtori i inspeksionit komunal Florian Dushi me këtë problematikë”, thotë Violeta Hasani, përfaqësuese e banorëve të zonës në Qendër.
Ajo është duke pritur një vendim nga Komuna e Prishtinës lidhur me këtë çështje. Në të kundërt, tha se janë të gatshëm të ngrenë padi.
Por në Komunë nuk kanë dhënë shpresë se këtë problem do ta zgjidhin. Në një përgjigje të shkruar, autoritetet thanë se kjo nuk është përgjegjësi e tyre dhe se çështjet që kanë të bëjnë me parkingjet kanë kaluar në kompetencë të ndërmarrjes “Prishtina Parking”.
“Kur është fjala për menaxhim, ata janë të autorizuar të mbledhin të hyrat nga shfrytëzimi i parkingjeve publike, po ashtu edhe të marrin masa ndaj atyre që bëjnë shkelje të rregullave për parkingjet me pagesë”, thuhet nga Komuna e Prishtinës.
Për shqetësimet që kanë shprehur banorët, KOHA ka adresuar pyetje edhe në ndërmarrjes publike “Prishtina Parking”, por kanë munguar përgjigjet gjatë së hënës.
Për formimin e ndërmarrjes, Komuna e Prishtinës ka votuar në vitin 2014. Prej atëherë, nuk është bërë një zgjidhje gjithëpërfshirëse për parkingjet në kryeqytet.