Arbëri

Parashihet rritje e rasteve me koronavirus, bëhet thirrje për vaksinim

Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi, ka deklaruar se pritet të ketë rritje të rasteve pozitive me koronavirus në vend, derisa në kryeqytet janë mbi 1 mijë e 800 raste aktive. Ai deklaroi se përhapja e pandemisë gjatë javëve të fundit duhet të merret me shqetësim nga institucionet.

“Kemi pasur një rritje të rasteve, në Prishtinë me rastet e djeshme, kemi diku 1.800 raste aktive, që në situatat e tjera kemi pasur diku 4 mijë raste. Përhapja e koronavirusit ose e variantit Omicron është shumë e shpejtë. Brenda dy javëve do t’i kemi rreth 5 mijë. Duhet thënë se klinika ose diskursi klinik është i lehtë, e kalojmë brenda 24 apo 48 orëve. Ky është rezultati i mirë i vaksinave. Efekti bazë i vaksinës është moszhvillimi i një klinike të rëndë, e këto i ndalon vaksina. Këshilloj që të vaksinohen me dozën e tretë, sepse është e vetmja mënyrë për ta tejkaluar koronavirusin”, deklaroi Gashi për KTV-në.

Drejtori i Shëndetësisë në kryeqytet tha se varianti Omicron ka afinitet të madh të shpërndarjes, derisa shtoi se respektimi i masave nga qytetarët nuk është në nivel të duhur.

Prishtina, sipas Gashit, është e furnizuar mjaftueshëm edhe me vaksina anti-COVID edhe kundër gripit sezonal.

“Këtë vit jemi furnizuar me vaksina kundër gripit sezonal në kohë të duhur, kjo na ka mundësuar që të bëjmë administrimin e tyre sa më herët. Shumicën e tyre i kemi administruar në tetor apo në gjysmë të tetorit. 10 mijë e 500 qytetarë të Prishtinës janë vaksinuar, vazhdojnë të marrin edhe sot vaksina”, tha ai

Për rritjen e orarit të vaksinimit kundër koronavirusit në Prishtinë, Gashi tha se kjo është bërë për shkak të interesimit të madh.

“Deri më tani kemi 266 mijë e 500 vaksina të injektuara, derisa rreth 500 qytetarë brenda ditës e marrin dozën e tretë”.

Numri i rasteve aktive me COVID-19 në Prishtinë, ka arritur në 1.877 me regjistrimet e fundit të bëra nga Ministria e Shëndetësisë.

Me këtë rast, është shënuar një rritje enorme brenda 24 orëve, pasi që në të dhënat paraprake ishin mbi 300 raste më pak në kryeqytet, përkatësisht 1.560.

Ky numër u arrit pasi gjatë ditës së diel u regjistruan 364 raste të reja me COVID-19 në Prishtinë, nga gjithsej 771 raste pozitive brenda 24 orëve të fundit në tërë Kosovën.

Për nga numri i rasteve aktive me koronavirus, Prishtina pasohet nga Mitrovica, ndonëse me shumëfish më pak të infektuar.

Për dallim nga kryeqyteti, kjo komunë ka vetëm 383 persona që vazhdojnë të jenë të infektuar.