Arbëri

“Pastrimi” drejt falimentimit

Për çdo ditë shkojnë derë më derë në lagje të ndryshme për të mbledhur mbeturinat.

Pavarësisht vjetërsisë që e kanë, ata vazhdojnë ta kryejnë funksionin e tyre edhe në kontejnerët e qendrës së Prishtinës.

Rreth 100 kamionë të kompanisë “Pastrimi”, që janë blerë në fillimet e vitit 2000, kryejnë ende shërbime në 3 ndërresa pa ndalur.

Megjithëse nuk i plotësojnë më kushtet për të dalë në terren, ata shërbejnë edhe në 5 qytete përveç kryeqytetit.

Kryeshefi ekzekutiv i kësaj kompanie, Burim Kelmendi, thotë se jetëgjatësia e tyre maksimale duhet të jetë 5 vjet.

Por, sipas tij, është e pamundur që të investohet në pajisje të reja pa u bërë ngritja e çmimit në 6 euro për shërbime pasi të gjitha të ardhurat e tanishme shkojnë në regjistrime të mjeteve dhe për kontrollimin teknik të tyre që bëhet çdo 6 muaj.

Ai paralajmëron edhe falimentim të kompanisë rajonale.

“Pajisjet e rënda e kanë çdo 6 muaj dhe i përgatisim këta kamionë për t’i kaluar kontrollin teknik për t’i qitë në rrugë. Në bazë të një vlerësimi ka që na vlerësojnë kamionët 1 mijë euro e ne investojmë në të 7000 mijë euro. Por nuk po kemi mundësi të investojmë në pajisje të reja. Ose borxhet 18 milionë euro të i marrin përsipër të na kthejnë paret tona, ose atë borxh ta falim me një investim të bëhet në mekanizëm tonë sepse kjo kompani është publike jo private, sepse në fund të fundit shërben në të mirë të qytetarëve dhe neve na lehtësohet puna”, ka thënë Kelmendi.

Kelmendi fajëson edhe Komunën e Prishtinës se nuk faturohen të gjithë qytetarët që marrin shërbim nga kjo kompani.

“Vet banoj te banesat ‘Skandinave’ banoj që 4 vite dhe kam dërguar kërkesë që të regjistrohet edhe ajo pjesë sepse jemi 70 familje që jetojmë aty dhe nuk paguajmë mbeturina, në anën tjetër jetojmë në Prishtinë. Është jo demokratike që një pjesë e qytetarëve faturohen e një pjesë tjetër nuk faturohet dhe ne i shpërndajmë 75-76 mijë fatura. Paguhen për 62 mijë dhe atë pagesë që e marrim na paguajnë vetëm 3 euro e 20 cent, 90 cent. Nuk mbërrin me i inkasua se nuk e kanë sistemin në nivel. Nuk dihet kush bën mbeturinë dhe kush pagunë, pra janë numra fiktiv. Çdo 6 muaj i rrisin nga 2 mijë banorë, pra janë edhe këto numra fiktiv sepse nuk ka sistem nuk ka regjistrim”, shtoi ai.

Ndërsa sa i përket rrjedhjes së kamionëve me erën e rëndë që kundërmon, thotë se është faji i mosriciklimit të mbeturinave.

Pajisjet e vjetra po ndikojnë shumë edhe në punën që bëjnë çdo ditë punëtorët.

Krejt këto probleme kanë ndikuar në mosfunksionim të mirë dhe mospastrim të qytetit. Qytetarët janë të pakënaqur.

Gjatë kohës së pandemisë “Pastrimi” ka marrë një grant prej 50 mijë eurove nga Komuna e Prishtinës dhe 700 mijë euro nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.