Në lagjen “Lakrishte” në Prishtinë ka pëlcitur një gyp i ujit.
Zëdhënësja e Ujësjellësit “Prishtina”, Arjeta Mjeku, i tha KOHËS se gypi është dëmtuar vetvetiu.
“Me të marrë këtë informacion, ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të ujësjellësit janë në vendin e ngjarjes për të verifikuar dëmtimin e gypit AC fi 200 mm , i cili ka pëlcitë vetvetiu”, thuhet në njoftimin e saj.
Pa furnizim me ujë të pijshëm kanë mbetur një pjesë e “Dardanisë”, një pjesë e “Lakrishtes”, rruga “Hazir Shala në lagjen Kalabria deri te Kazerma “Adem Jashari”
“Ekipet e mirëmbajtjes dhe operimit do e bëjnë të pamundurën që ta sanojnë sa më shpejt, por fillimi i sanimit do realizohet në momentin që largohen disa vetura të parkuara në vendin e dëmtimit, me ç'rast i kemi informuar organet gjegjëse”, thuhet tutje.