Arbëri

Sot në gjimnazin “Xhevdet Doda” mund të vaksinohen nxënësit

Me qëllim të imunizimit të nxënësve kundër COVID-19, Ministria e Shëndetësisë ka organizuar sot një ekip mobil për vaksinimin e nxënësve në Shkollën e Mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë.

Vaksinimi, i cili do të bëhet në bashkëpunim me drejtuesit e shkollës, do të zhvillohet nga ora 13:00 në mjediset e kësaj shkolle.

Prindërit ose kujdestarët ligjorë të nxënësve që do të vaksinohen duhet që paraprakisht të japin pëlqimin për imunizimin e nxënësve.

Nëpërmjet një njoftimi, Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje të gjithë atyre që nuk janë vaksinuar ende apo që nuk e kanë kompletuar procesin e vaksinimit me të dy dozat, që ta bëjnë një gjë të tillë. Këtë thirrje, ministria e ka justifikuar me shfaqjen e numrit të lartë të rasteve të reja me COVID-19 në shtetet e rajonit dhe në Evropë. Që prej fillimit të vaksinimit, në të gjitha qytetet e Kosovës janë administruar 1 milion e 607 mijë e 518 doza. Ndërsa, 757 mijë e 103 qytetarë janë vaksinuar me që të dyja dozat e nevojshme për imunizim.