Rinumërimi i votave ndryshon listën e asamblistëve të LDK-së në Prishtinë

Përparim Rama ka fituar Prishtinën me 50.98 për qind të votave, duke lënë prapa Arben Vitinë më 49.02 për qind sipas rezultatit përfundimtar të Komisionit Qendror Zgjedhor për kryetar komunash.
Me këtë rezultat, Rama ka marrë 1.621 vota më shumë se Vitia.
Ndërsa, pas rinumërimit të votave për Kuvend Komunal dhe certifikimit të tyre nga ana e KQZ-së, ka ndryshuar lista e asamblistëve për Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Nga 14 ulëse sa i takojnë LDK-së, sipas listës së KQZ-së kanë ndryshuar 3 vendet e fundit nga lista që kjo parti ka dhënë pas rundit të parë.
Në listën e certifikuar janë: Fehmi Kupina, Alban Zogaj, Jeta Rafuna-Hasani, Krenar Xhaferi, Izet Sadiku, Milazim Vitija, Donat Lushaku, Fadil Aliu, Fisnik Osmani, Lindita Rexhepi, Donjeta Dragusha, Elmirë Nikci Rexha, Dhurata Jahja-Retkoceri.
Ndërsa Sami Salihu do të zërë vend në asamblenë komunale, në vend të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
Pëllumb Bajçinovci, Ajet Brajshori dhe Amir Simnica nuk do të ushtrojnë mandatin e këshilltarit komunal.
Me 17 ulëse në Kuvend Komunal, Lëvizja Vetëvendosje është partia me numrin më të madh të asamblistëve.
Sipas listës përfundimtare të KQZ-së, asamblistët e rinj të VV-së që pritet t’i bashkohen Kuvendit Komunal janë: Arben Vitia, Nora Kelmendi, Arbër Vokrri, Berat Lahu, Ermal Osmani, Feim Osmani, Gëzim Sveçla, Triera Kasumi Berisha, Rashit Gashi, Petrit Recica, Mirsad Vitia, Besnik Mujeci, Violeta Salihu, Besart Krasniqi, Berna Saraci, Rita Zeqiri, Arbnora Berisha.
Në këtë listë mund të shtohet ndonjë asamblist i ri, në rast se Arben Vitia vendos të mos e ushtrojë këtë post, të cilin nuk e ka bërë ende të ditur.
Nga lista e PDK-së asamblistët janë: Ilirik Musliu, Granit Geci, Leutrim Retkoceri, Muhamet Selmani, Rinë Limani, Agron Canolli, Plator Gerdovci, Kumrije Shabani-Ramadani, Shegë Beqiri Badivuku.
Ndërsa, bartësja e listës së PDK-së, Eliza Hoxha, e cila ka qenë gruaja më e votuar si asambliste në Kosovë, ka zgjedhur të vazhdojë mandatin e deputetës në Kuvendin e Kosovës, ku ka pagën mbi 1 mijë euro.
Në një prononcim për KOHËN, ajo ka treguar se ka vendosur të heqë dorë nga Kuvendi Komunal i Prishtinës pasi nuk ka fituar Uran Ismaili.
“Ideja ka qenë që bashkë me Uran Ismailin të bashkëpunojmë për të kontribuar në Komunë e Prishtinës. Pasi Urani nuk është zgjedh kryetar i Prishtinës, unë kam zgjedhur të vazhdoj mandatin si deputete”, ka thënë Hoxha.
Nga radhët e AAK-së, në ulëset e Kuvendit të Komunës së Prishtinës do të jenë: Daut Haradinaj, Endrit Gashi, Bahri Gashi, Kushtrim Mushica, Valbona Ajeti dhe Arbnora Ajeti.
Nuk dihet ende se cilat janë planet e Haradinajt sa i përket pozitës së tij në Komunën e Prishtinës.
Nga AKR do vazhdojnë përsëri të jenë në Komunën e Prishtinës, Gëzim Mehmeti, Fiknete Bejta dhe Sami Boroci.
Nisma do të përfaqësohet me një asamblist, Endrit Zabergja, dhe Lëvizja për Bashkim me ish-kryesuesin e Kuvendit Komunal, Agim Kuleta.
Përkundër zërave, kryetari i ri, Përparim Rama, nuk ka bërë ende publike nëse ka arritur ndonjë marrëveshje për koalicion me partitë e tjera.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.