Arbëri

Projektet kryesore për Prishtinën, flasin Vitia e Rama

Dy kandidatët për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia nga VV-ja dhe Përparim Rama nga LDK-ja, kanë shpalosur projektet kryesore për mandatin 4-vjeçar.

Këta dy kandidatë, që të dielën do të garojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve, kanë folur në emisionin për Prishtinën “038”, në KTV.

“Ridefnimi i qendrës dhe ndërlidhja me lagjet përreth që do ta transformojë qytetin për këmbësorë, për tarfik urban e trafik alternativ. Do ta lidhim qendrën nëpërmjet platformës me lagjen Arbëria, nëpërmjet platformës me Kodrën e Trimave, nëpërmjet nënkalimit me Prishtinën e Vjetër, nëpërmjet platformës me Aktashin dhe gjithë Kodrën e Diellit, nëpërmjet nënkalimit me Lagjen e Spitalit dhe Ulipanën dhe nënkalimit tjetër me Kalabrinë dhe Dardaninë”, ka thënë Rama.

E Vitia, në të njëjtën pyetje, për projektet kryesore, është përgjigjur për rregullim të trafikut dhe për shkolla e çerdhe.

“Rregullimi i kaosit të trafikut më katër masa kryesore: Investimi në rrugë të reja, shtimi i autobusëve për Trafik Urban, trotuare dhe hapje të korridoreve të reja që do ta ulin qarkullimin e veturave në qytet”, ka thënë Vitia.

Ai tha se Prishtina me të si kryetar, do të bëhet qytet i jetueshëm dhe rekreativ me hapësira të mjaftueshme të trotuareve, me parqe e veranda.

“Do të dyfishojmë numrin e çerdheve në qytet dhe do të ndërtojmë çerdhe në çdo fshat që ka 100 fëmijë të moshës 0-6 vjeç. Do të modernizojmë infrastrukturën shkollore, do të ndërtojmë pesë shkolla dhe do të bëjmë analizë nëse ka nevojë edhe për 3 shkolla”, shtoi Vitia.