Arbëri

Mehmeti këmbëngul për rinumërim në Prishtinë: Na u vodhën 2%

Gëzim Mehmeti kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës ka kërkuar rinumërim të votave në Prishtinë pasi sipas tij ka pasur vjedhje të votave.

Sipas tij, qytetarët e Prishtinës kanë treguar kulturë të lartë në votime, porse sipas tij, kur vie të numërimi, aty ndodhin gjithmonë manipulime.

“Këtë rast dyshojmë se na kanë humbur deri në 2 për qind të votave po ashtu ka pasur edhe manipulim të votave të kandidatëve. Kemi shumë manipulime bazuar në prova. Në vendovotimin në Matiqan vetëm pesë vota janë të publikuara për AKR-në, ndërsa kur i numërojmë votat janë diku mbi 28. Kjo ka ndodhur dhe duhet të hetohet. Ne po kërkojmë të rinumërohen votat. Ky rinumërim është në interes të KQZ-së dhe procesit në tërësi. Në vendvotimin diku në Qendër të Prishtinës janë publikuar katër vota, ndërkaq nëse shihet janë bërë përmirësime por në realitet janë 17 vota”, ka thënë ai.

Sipas tij, ende nuk i kanë rezultatet preliminare, por bazuar në të dhënat dhe provat materiale nuk përputhen të dhënat.

Mehmeti ka kërkuar rinumërim duke shtuar se do të zbardhet i gjithë procesi.

“Unë si Gëzim tërhiqem nga aspekti i votave të mija, por kandidatët për asamblistë po i demoralizojnë dhe kjo duhet të ndalohet dhe të gjejmë një metodë që të mos manipulohet. Nëse kanë ndodhur manipulime te votat për kryetar kjo nuk ndikon por ndikon tek asamblistët. Gjatë ardhjes së FRK-së po shohim që ka ndërhyrje në formularë dhe të njëjtat nuk guxojnë të ndodhin. Janë dhjetëra qendra të votimit janë bërë keqpërdorime”, ka thënë ai.

Sipas tij, nuk i kushton asgjë KQZ-së që të rinumërojë votat sepse sipas tij e rikthejnë besimin.

Ai ka thënë se nuk kanë dyshime në askënd.