Metro

Banorët e kryeqytetit ankohen për ndërprerje të ujit, fajësojnë kyçjen e ndërtesave të reja

 

Qytetarët e lagjes së Muhaxherëve dhe asaj të Kodrës së Diellit po ankohen për ndalje të shpeshta të furnizimit me ujë, teksa thonë se kjo vjen si pasojë e kyçjes së objekteve të reja në rrjetin e ujësjellësit. Ankesa për mungesë të ujit patën edhe dje, derisa Ujësjellësi Rajonal i Prishtinës tha se arsye ishte dëmtimi i gypave. Sipas kësaj kompanie, ndërprerjet do të varen nga zhvillimi i mëtejshëm urbanistik i qytetit.

Gjatë ditës së enjte, ujë nuk pati te lagjja e Muhaxherëve e në Kodër të Diellit. Derisa sipas ujësjellësit, ndërprerja ndodhi si pasojë e dëmtimit të gypave, banorët tregojnë se një gjë e tillë u ndodh jo rrallëherë.

Sipas banorëve, ndërprerja e ujit vjen shpesh si pasojë e kyçjes së ndërtuesve të shumtë të kësaj lagjeje në rrjetin e ujësjellësit.