Arbëri

AKR-ja kandidon Gëzim Mehmetin për kryetar të Prishtinës

Aleanca Kosova e Re (AKR), ka vendosur që të kandidojë Gëzim Mehmeti për kryetar të Prishtinës, në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Sekretari i Përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, e ka konfirmuar për KOHËN kandidimin e Mehmetit, që aktualisht është drejtor i Infrastrukturës në komunën e Prishtinës.

“Po është e vërtetë, ne do të kandidojmë për kryetar të Prishtinës Gëzim Mehmetin, pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos e certifikuar si kandidat Selim Pacollin”, ka thënë Makolli.

Një ditë më parë, KQZ-ja ka vendosur të mos e certifikojë Pacollin si kandidat për të parin e Prishtinës, sepse, bazuar në një aktvendim të vitit 2019, ai e kishte bërë deklarimin e pasurisë 48 orë pas përfundimit të afatit ligjor për deklarim.

Këtë vendim e ka komentuar edhe Makolli, i cili ka thënë se ka qenë i papritur, dhe se sipas tij, vonesa për vetëm një ditë e deklarimit të pasurisë nga Pacolli, nuk është dashur të pengojë kandidimin e tij për kryetar komune.

“Vendimi ka qenë i papritur, është një shkelje ligjore mosdeklarimi i pasurisë, ai është vonuar vetëm një ditë që ta bëjë këtë, nuk është një dënim për të cilin ka merituar të largohet nga gara”, është shprehur Makolli.

Sipas tij, kandidatura e Pacollit do ta bënte shumë më interesante garën për Prishtinën.

Kandidatët e tjerë deri më tani të konfirmuar për ulësen e të parit të kryeqytetit janë: Arben Vitia nga VV-ja, Përparim Rama nga LDK-ja, Uran Ismajli nga PDK-ja dhe Daut Haradinaj nga AAK-ja.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar deri më tani 48 subjekte politike me 552 kandidatë për Zgjedhjet Lokale 2021. 

Zgjedhjet lokale do të zhvillohen në 36 komuna të Kosovës.