Pronarët e lokaleve në Parkun e Qytetit në kryeqytet, të cilëve iu ka shkuar vendimi për të mbyllur bizneset e tyre, kanë tentuar sot të takojnë kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, por pa sukses. Të njëjtit po kërkojnë që të gjejnë një zgjidhje pasi thonë se Komuna nuk përgjigjet as në kërkesat e tyre për aplikim për leje. Në anën tjetër, qytetarët mendojnë se në Parkun e Qytetit ka shumë kafene.
Një nga pronarët, Burim Azemi, ka thënë se që nga viti 2017 po kërkojnë leje por që nuk po u jepet.
Azemi vlerëson se vendimi i Komunës është i gabuar dhe se duhej të pritej sa të mbaron sezoni i verës.
Kaltrin Jusufi, një tjetër pronar tregon se sikur të gjitha bizneseve të tjera edhe atyre iu ka shkuar vendimi për mbyllje.
“Si të gjitha kafeneve edhe neve na ka ardhur vendimi që brenda 5 dite veç të lirojmë pjesën e tarracës që është pronë publike, po na për atë tarracë lart kemi pas leje edhe gjithmonë e kemi vazhduar lejen e njëjtë, po për këtë vit ata as nuk na kanë vazhduar lejen, as kurrgjë hiç veç d.m.th pas të gjithë atyre investimeve që i kemi bërë po ata veç po vijnë edhe po thonë mbyllni. Më duket diçka absurde veç të vijnë e të thonë mbyllni”, u shpreh Jusufi.
Qytetarët që frekuentojnë këtë park kanë mendime të ndryshe, megjithëse thonë se nuk duhet të ketë kaq shumë në këtë zonë.
Muharrem Bullofci mendon se në Parkun e Qytetit janë bërë shumë kafene dhe se nuk duhet të ketë më shumë se dy.
Një tjetër qytetar, Shyqyri Mici thotë se dalin më shpesh në Gërmi dhe në Taukbahçe pasi Parku i Qytetit është mbushur me kafene.
Një mendim më ndryshe se këta të fundit e kishte Zar Hoti i cili shton se është vendim i keq nga Komuna sepse më shumë po u pengojnë lokalet në qytet se sa këto në parqe.
Të hënën në Parkun e Taukbahçes janë larguar 7 tarraca të lokaleve, dhe e njëjta i pret edhe lokale në Parkun e Qytetit nëse këta të fundit nuk largohen brenda 5 ditësh, afat ky i dhënë nga komuna e Prishtinës.