1 perditesime
20:53

VV-ja e mohon se ka gjuajtur vezë në tubimin e Përparim Ramës

Lëvizja Vetëvendosje, Dega në Prishtinë, ka mohuar se aktivistë të saj kanë hedhur vezë në tubimin ku ishte i pranishëm kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama.

Përmes një postimi në Facebook, kjo Degë ka thënë se aksionet e aktivistëve të saj kanë qenë gjithmonë publike.

“Sapo u njoftuam nga mediat se disa persona paskan hedhur vezë në një tubim ku ka qenë prezent kandidatit për kryetar të Prishtinës nga radhët e LDK-së. Këto lajme janë të pavërteta dhe tendencioze. Aksionet e aktivistëve tanë kanë qenë gjithmonë publike. Pra edhe njëherë ritheksojmë së këto veprime nuk janë organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!”, thuhet në reagimin e VV-së.

20:18

Përparim Rama sulmohet me vezë, LDK-ja thotë se sulmuesit brohorisnin “Vetëvendosje”

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për komunën e Prishtinës në zgjedhjet lokale, Përparim Rama, është sulmuar të enjten me vezë gjatë një tubimi në lagjen “Kodra e Trimave”.

Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi ka thënë për KOHËN se Rama është sulmuar nga një grup i të rinjve, të cilët brohorisnin "Vetëvendosje".

“Gjatë një takimi me qytetarët e lagjes "Kodra e Trimave" në oborrin e shkollës 'Zenel Hajdini' u sulmuam me vezë nga një grup i të rinjve, të cilët gjithashtu brohorisnin Vetëvendosje. Nuk ka vend për panik, Përparimi po vjen për Prishtinën!”, ka thënë Halimi.

Një reagim për këtë ngjarje në llogarinë e tij në Facebook ka bërë edhe vetë Përparim Rama.

Ai ka thënë se takimet me banorët e Prishtinës, dhe diskutimet e lira dhe të hapura janë bazë e lirisë së shprehjes.

“Takimet me banorët e Prishtinës dhe diskutimet e lira e te hapura janë baze e lirisë së shprehjes. Ka shumë të pakënaqur në qytetin tonë. Mirëpo nuk ka vend për panik. Prishtinës do t’i kthehet buzëqeshja e dashnia. #PR4PR”, ka shkruar Rama në Facebook.

Përparim Rama do të garojë nga radhët e LDK-së për të marrë pozitën e të parit të Prishtinës, në zgjedhjet lokale që do të zhvillohen më 17 tetor.