Arbëri

Komuna e Prishtinës thotë se situata e krijuar nga reshjet është nën kontroll

Komuna e Prishtinës thotë se ekipet kanë qenë në terren gjatë tërë ditës duke inspektuar gjendjen e krijuar nga reshjet e shumta të shiut. Sipas njoftimit, situata është nën kontroll dhe nuk ka dëme në njerëz, derisa dëmet materiale do të konstatohen nga Drejtoria e Inspekcionit.

“Janë ndërmarrë një sërë intervenimesh në rrugët, lagjet, fshatrat dhe sheshet kryesore të qytetit, në të cilat janë liruar pusetat, zhbllokuar kanalizimet si dhe është kryer pastrimi i rrugëve dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Parqeve është bërë largimi i degëve dhe drurëve të rrëzuara nga erërat dhe reshjet”, thuhet në njoftimin e Komunës.

“Komuna falënderon të gjitha ekipet dhe kompanitë që janë angazhuar në këtë. Ndërkohë që presim raportet finale të vlerësimit për të bërë të ditur edhe bilancin e dëmeve që janë shkaktuar si pasojë e reshjeve. Konstatimet e hollësishme nga ky vlerësim do të ju dërgohen Drejtorisë së Inspekcionit, Drejtorisë së Investimeve Kapitale, KEDS-it dhe çdo organi tjetër relevant për ndërmarrjen e masave parandaluese dhe për sanimin e dëmeve.”