Arbëri

Banorët e “Mati 1” kërkojnë takim me Ahmetin për punimet në rrugën “Muharrem Fejza”

Banorët e lagjes “Mati 1”, konkretisht ata të rrugës “Muharrem Fejza” dhe rrugëve lidhëse, i kanë bërë ftesë publike kryetarit të komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe Drejtorit të Investimeve Kapitale, Gëzim Rafuna, që të zhvillojnë një takim me ta.

Arsyeja e kësaj ftese, thuhet të jenë punimet në rrugën “Muharrem Fejza” dhe përmes këtij takimi, banorët presin të marrin sqarime nga Ahmeti e Rafuna për afatet kohore të punimeve.

“Ftesë publike! Ne banorët e lagjes “Mati 1”, të rrugës “Muharrem Fejza” me rrugët lidhëse, ftojmë kryetarin e komunës së Prishtinës, z.Shpend Ahmeti dhe drejtorin z.Gëzim Rafuna në takim sqarues e informues mbi problemet e lagjes, me theks: punimet në rrugën “M.Fejza”. Takimi do të mbahet më: 21/06/2021, e hënë, ora 19:00, shkolla “Pavarësia”. Duam afate dhe sqarime!”, thuhet në ftesën publike.

Punimet në rrugën “Muharrem Fejza” kanë nisur më 27 prill të këtij viti. Pjesa më e frekuentuar e kësaj rrugë tashmë është e bllokuar, ndërkohë që banorët e atyre pjesëve po hasin në probleme për të qarkulluar me vetura.

Image
Ftesa publike e banorëve të lagjes "Mati 1"