U vendosën në Prishtinë në vitin 2013, por dolën nga funksioni shumë shpejt.
Tash gati një dekadë më vonë pritet që kontejnerët nëntokësorë të rifunksionalizohen.
Lumnije Hyseni, zyrtare për menaxhimin e mbeturinave në Komunën e Prishtinës, ka thënë se pas rifunksionalizimit të këtyre kontejnerëve, kompania “Pastrimi” përsëri duhet ta marrë përsipër mirëmbajtjen e tyre.
“Datë të saktë nuk kemi, ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet, vetëm po presim deri në vendimin e kryetarit kur do ta nënshkruajë kontratën. Planet tona janë që në gjithë qytetin të rifunkionalizohen kontejnerët nëntokësorë. Ne kemi dërguar propozimin te kryetari për kontratë të re për rifunksionalizim të kontejnerëve nëntokësorë dhe po presim deri në vendimin nga kryetari. Komuna me vendosjen e kontejnerëve nëntokësorë ka menduar të bëjë një zgjidhje për qytetarët, mirëpo kanë mbetur të pafunksionalizuara dhe fatkeqësisht për atë arsye është dashur me i vendos edhe kontejnerët mbitokësorë”, tha Hyseni.
Mungesa e makinerisë adekuate dhe kostoja e lartë e makinerive të reja janë arsyet se pse këta kontejnerë po mbesin jashtë shfrytëzimit, thonë zyrtarët komunalë.
“Arsyeja ka qenë mosmirëmbajtja e tyre nga kompania “Pastrimi”, të cilët disa herë janë ankuar se për shkaqe teknike, disa pengesa me kamion nuk kanë mundur t’i mirëmbajnë, për atë edhe janë ndërprerë”.
Ndërsa Arbnore Ademi, zëdhënëse nga KRM “Pastrimi”, ka konfirmuar se infrastruktura e dobët është arsyeja e mosfunksionalizimit të këtij projekti.
“Kontejnerët nëntokësorë janë më adekuatë, më të mirë për ambientin dhe më të leverdishëm për kryerjen e shërbimit, por situata që janë jashtë përdorimit flet ndryshe, e presim që në të ardhmen do të funksionalizohen. Një kohë është kryer shërbimi me shumë vështirësi nga kompania “Pastrimi”, e tani qe disa vite janë jashtë funksionimit këta kontejnerë nëntokësorë. Janë shumë më praktikë, më funksionalë, sepse vendi është shumë i përshtatshëm për hedhjen e mbeturinave. Nuk ka pasur ndarje të mbeturinave, pasi dihet që ende nuk është një ndarje e mbeturinave apo një riciklim i mirëfilltë në vendin tonë, do të thotë qytetarët kanë bërë hedhjen e mbeturinave në mënyrë të përzier, e që ato më pas kompania “Pastrimi” ka shkuar dhe i ka larguar”.
Megjithatë, Komuna e Prishtinës dhe “Pastrimi” ende nuk e kanë të qartë kohën kur do ta nisin jetësimin e projektit, derisa e tëra ideja për momentin është vetëm diskutim mes dy palëve.
-
13 qershor 2021 16:12
-
Shpërndaje në: