Arbëri

Ujësjellësi ka dërguar mbi 1,000 raste te përmbaruesi për mospagesë të borxheve

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka dërguar mbi 1 mijë raste te përmbaruesi si shkak i mospagesës së borxheve.

Në një intervistë për Ekonomia Online, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të kësaj kompanie, Sokol Xhafa, tha se mbi 700 raste janë trajtuar nga përmbaruesi kurse 300 raste janë në procedurë e sipër.

“Pjesën e konsumatorëve që i kemi dërguar në përmbarim, kemi filluar në dhjetor të vitit që shkoj, janar dhe shkurt, kurse gjatë muajve mars dhe prill pak a shumë kemi pushuar me këtë rast i kemi trajtuar pjesët e lëndëve që veç janë dërguar, sepse kjo kohë ishte pak edhe më e shprehur pjesa e pandemisë, kishte raste më shumë dhe jemi munduar t’i kursejmë. Do të rifillojmë prapë gjatë këtyre ditëve jemi në finalizim të listave dhe menjëherë do të fillojnë të dërgohen rastet e reja. Janë mbi 700 raste që janë trajtuar nga përmbaruesi dhe mbi 1 mijë raste që janë dërguar te përmbaruesi, përafërsisht 300 raste janë në procedurë e sipër”, tha Xhafa.

Borxhi i akumuluar nga muaji janar e deri në maj shkon deri në 600 mijë euro, ndërsa në totali i borxhit vetëm në pandemi shkon në 2.2 milionë euro.

“Gjendja në total e borxhit është afërsisht 47 milionë, po flasim sot për sot gjendja e borxhit të akumuluar gjatë periudhës së pandemisë 2.2 milionë. Ndërsa gjatë kësaj periudhe nga janari e deri edhe majin është afërsisht 600 mijë euro vetëm kjo pjesa që janë të grumbulluar, sigurisht pjesa e inkasimit e përmbarimi ka bërë që inkasimet të rriten. Por është prapë se prapë për neve shqetësuese sepse kjo pjesa e 47 milionëshit po shkon dhe po rritet, sepse e vendos në pozita të papërshtatshme ndërmarrjen ose na pamundëson të krijojmë shërbime më të mira për konsumatorët tanë”, u shpreh Xhafa.

Ai tha se reduktime nuk kanë aplikuar gjatë kësaj kohe dhe nuk planifikojnë të aplikojnë, vetëm në rast të ndonjë defekti.

Ndërkaq, duke folur për nivelin e ujit në liqenet e Batllavës dhe Badovcit, Xhafa tha se gjendja është më e mirë krahasur me vitet që kanë kaluar.