Arbëri

Banorët e një kompleksi në “Bregun e Diellit” janë në hall me ujërat e zeza

Tash e katër ditë, disa banorë të një kompleksi privat banesor në lagjen “Bregu i Diellit” përballen me ujërat e zeza në garazhet e objektit. Në hall janë me kundërmimin e tyre, derisa kërkojnë ndërhyrje për ta zgjidhur këtë problem. Nga menaxhmenti i kompleksit thanë se “problemi po rregullohet, ndonëse kjo është nën përgjegjësinë e Komunës së Prishtinës dhe banorëve të kompleksit”

Banorët e një kompleksi banesor në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë janë në hall me ujërat e zeza. Njëri nga ta është Durim Hoxha, i cili ankohet se kundërmimi i këtyre ujërave, të mbledhura në garazhet e objektit, ka mbërritur deri në dhomat brenda në banesa.

“Ka rrjedhje si duket të kanalizimit, sepse era është e tmerrshme. Çka është më e keqja, kjo erë ka filluar të depërtojë edhe nëpër dhomat e banesave. Do të thotë, edhe qëndrimi në banesë është bërë i padurueshëm, i pamundshëm si rezultat i kësaj arome”, ka thënë ky banor.
Ai shton se do të detyrohen të gjejnë banim diku tjetër nëse ky problem nuk zgjidhet shpejt.

“Aromat që vijnë prej kanalizimit janë edhe të pashëndetshme për organizmin e njeriut, kështu që nëse vazhdon kështu edhe disa ditë ne do të detyrohemi të gjejmë strehim diku tjetër, sepse frikësohemi për shëndetin tonë”, ka thënë Hoxha.

Kurse një banor tjetër, i cili ka kërkuar të mbetet anonim, thotë se kundërmimi është bërë i padurueshëm tash e katër ditë.

“Ujërat e zeza kanë hyrë në gypin e reshjeve atmosferike dhe janë përzier. Aroma është e tmerrshme, kështu që edhe banimi këtu është bërë i pamundur. Po presim përgjigje nga organet përgjegjëse që duhet të merren me këtë punë”, ka thënë ai.
Menaxheri i kompleksit “Royal Mall”, Fatos Bajraktari, ka thënë përmes telefonit se faji për këtë problem është te Komuna dhe te banorët për mosmirëmbajtje. Sipas tij, problemi është duke u rregulluar nga kompleksi, pavarësisht që nuk është nën përgjegjësinë e tij.

Mirëpo, Habib Qorri, zyrtar i Drejtorisë për Shërbime Publike në Prishtinë, ka mohuar se Komuna e Prishtinës është përgjegjëse për këtë çështje.

“Komuna nuk menaxhon me ujëra të zeza, me përjashtim kur shtrohet ndonjë rrugë e vendoset kanalizimi prej Drejtorisë së Investimeve Kapitale. Kompleksi e ka prej objektit deri te puseta ku lidhet në kanalizimin kryesor dhe banorët e kanë një pjesë deri në rrjetin primar”, ka thënë Qorri.

Ai ka shtuar se Komuna nuk mund ta mirëmbajë sistemin e kanalizimit të komplekseve private. Për daljen e ujërave të zeza në sipërfaqe nëpër rrugë ka pasur ankesa së fundmi nga banorë edhe të disa lagjeve të tjera të kryeqytetit.