Deri dy javë më parë, përshkonte rrugën deri në 9 kilometra në këmbë për të shkuar në shtëpi, pasi autobusi i linjës 15 ndalej në Keqekollë.
KOHA kishte raportuar edhe më parë për vështirësitë që haste çdo ditë Enes Ibrahimi nga Prapashtica për të ndjekur studimet në mungesë të trafikut urban.
Ndërsa sot, ai pret në stacionin e “Xhamisë së Llapit” me dëshirë, pasi Komuna e Prishtinës ka mbajtur premtimin duke lëshuar autobusin me numër 15 deri në Prapashticë.
Tani Ibrahimi e ka shumë më të lehtë rrugën deri në fakultet dhe nuk është i detyruar t’i ndërpresë studimet siç pati menduar më parë.
Lëshimit të kësaj linje edhe për disa kilometra i është gëzuar mjaft shumë edhe Naim Ruhani nga Prapashtica.
“Falënderojmë televizionin tuaj shumë dhe jemi jashtëzakonisht të kënaqur që s’ka qysh më shumë. Falënderojmë edhe Komunën e Prishtinës. Sot është dita e parë që shkoj prej që është lëshuar për Prapashticë, sepse në Keqekollë kam shkuar ndonjëherë. Kemi përdorur një kombi ka qenë i vogël dhe u bëke kallabllak. Jo lehtësuar, por kjo është sikur kur ringjallet njeriu për së dyti”, ka thënë Prapashtica.
Që dy javë, ky autobus shkon deri në rrugën që ndahet për fshatin Gllogovicë në njërën anë dhe anën tjetër, për në fshatrat Dabichec dhe Hajkobill, e që janë edhe fshatrat e fundit të Prishtinës.
Kanë mbetur vetëm edhe 5 kilometra që Komuna nuk e ka vazhduar këtë linjë për t’ua lehtësuar jetën më shumë edhe banorëve të këtyre fshatrave.
Duke falënderuar komunën, ata kërkojnë që autobusi të zgjasë destinacionin e fundit.
Kjo linjë e autobusit qarkullon 5 herë në ditë dhe çmimi i biletës deri në Prapashticë është njësoj si në të gjitha linjat e Trafikut Urban, 40 cent.