Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se është gjobitur në shumë e 35 eurove për shkak të mos mbajtjes së distancës dhe maskave, teksa po festonte ditëlindjen bashkë me 14 persona të tjerë, që sipas tij, gjysma ishin familjarë.
Deri te gjobitja e të gjithë të pranishmëve, sipas Ahmetit, erdhi pas një telefonate që kishte pranuar Policia që kinse në ambientin ku po festonte i pari i Prishtinës po mbahej dasmë.
“Mbrëmë kam festuar ditëlindjen me familje në një hapësirë private - jo biznes - ku kemi qenë rreth 15 persona prej të cilëve gjysma familjarë (në mes tyre bashkëshortja dhe fëmijët). Ende pa filluar dhe rreth orës 20 (dy orë para orës policore) kanë ardhur tre vetura të policisë dhe dy të AVUK-ut të cilët më kanë thënë se dikush ka lajmëruar dasmë. U çudita se si pa nisur ende një tubim familjar në hapësirë private, dikush paska lajmëruar "dasmë". Unë kërkova që të gjobitemi sipas ligjit. Unë dhe mysafirët u dënuam me gjoba për mos mbajtje të distancës dhe maskave, nga 35 euro. Në këso rrethanash dhe pa hyrë në konspiracione, me sinqeritetin më të madh e falënderoj Policinë e Kosovës dhe AVUK për sjellje profesionale gjatë vizitës”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.