Arbëri

Nis vaksinimi në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë, banorët nuk hezitojnë

Të mërkurën ka filluar vaksinimi i të moshuarve në shtëpitë e kujdesit dhe punëtorëve socialë që kujdesen për ta e pacientët në dializë.

Në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë, rezidentët nuk kanë hezituar të vaksinohen me vaksinën për COVID-19.

Hadije Braha, zyrtare në Shtëpinë e të Moshuarve ka thënë se janë vaksinuar punëtorët socialë dhe kanë filluar edhe banorët për të cilët shtoi se nuk kanë hezituar.

“Nuk kanë hezituar për ta marrë vaksinën. Janë të gjithë dakord që ta marrin”, ka thënë ajo.

Braha në Express Intervistë ka thënë se arsye që banorët nuk kanë hezituar është sepse duan të dalin dhe të vizitojnë të afërmit. Ajo ka folur edhe për shërbimet që janë dhënë në shtëpinë e kujdesit.

“Shërbimet janë 24 orëshe, pa ndërprerje, nën përkujdesje gjithmonë. Mjekun e kemi, është staf i kompletuar për t’i kryer nevojat që u duhen atyre. Kemi qenë të pajisur edhe me material mbrojtës, nuk ka pasur probleme. Kanë qenë edhe të disiplinuar”, tha ajo.

Braha ka treguar se ka pasur raste të infektimit brenda kësaj qendre të kujdesit për të moshuarit, por që nuk ka pasur të vdekur.

Ndërkaq, banorët të cilët janë vaksinuar sot, kanë thënë se ndihen mirë pas marrjes së vaksinës.

Një prej tyre, thotë se pavarësisht se është vaksinuar ende nuk ndihet e sigurt për të dalë jashtë. Insiston se do vazhdoj të jetë e disiplinuar për të mos lejuar të marrë koronavirusin.

Një tjetër shprehet i lumtur me marrjen e vaksinës, kjo sepse tani mund t’i vizitoj familjarët pa frikë.

Në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë aktualisht janë 65 rezidentë dhe 52 punëtorë.