Arbëri

Shtëpia e të Moshuarve me kapacitet për të pranuar edhe persona të tjerë

Shtëpia e të Moshuarve në Prishtinë, ka hapësira për të pranuar edhe 35 persona të tjerë që i plotësojnë kriteret e vendosura për pranim në këtë institucion.

Në një intervistë për Ekonomia Online, drejtoresha e Shtëpisë të Personave të Moshuar në Prishinë, Raze Aliçkaj, tha se kushtet në këtë objekt janë të mira.

“Po kemi mundësi, sepse ka hapësira me shtretër llogaritet diku 100 rezidentë, e për momentin janë 65 kështu që kemi hapësira dhe ata që i plotësojnë kriteret edhe vendosen. Gjitha këto procedura shkojnë përmes departamentit për politika sociale, familjare, komisioni që verifikon lëndën e kërkuesit që do të vendoset dhe ka nevojë”, theksoi tutje ajo.

Aliçkaj ka treguar se nuk kanë rast aktiv me Covid-19.

“Jo nuk kemi raste aktive për momentin dhe për atë jemi shumë të lumtur, ku sot kemi bërë edhe dezinfektimin në të gjitha hapësirat e institucionit dhe ndoshta është edhe ana psikologjike e punës së higjienës”, tha ajo.

Punë të madhe në kohën e pandemisë kanë luajtur edhe personali shëndetësor që janë përkujdesur për të bërë më të lehtë periudhën e përballjes me pandeminë për personat e moshuar.

“Mjeku i institucionit duke i parë simptomat e para menjëherë ka marrë masa e i ka testuar, pas rezultatit kemi ndarë një pjesë pra një kat të objektit dhe e kemi lënë enkas për karantinë ku aty i kemi strehuar të gjithë rezidentët me radhë sepse jo të gjithë janë prekur me COVID-19 përnjëherë, mirëpo janë trajtuar në mënyrë më të mirë të mundshme duke përshirë këtu oksigjenin ku ja kemi dhënë brenda institucionit, pra janë shëruar këtu me përjashtim të dy rasteve që i kemi dërguar në klinikat tjera por që prapë i kemi kthyer këtu”, deklaroi Aliçkaj.

Pandemia po ashtu ka pasur efekt edhe në shëndetin mental të këtyre personave.

Psikologjia Remzije Fazliu, në një intervistë për EO, thotë se ka punuar maksimalisht t’i ndihmojë këta të moshuar ta tejkalojnë frikën nga koronavirusi.

“E vërtetë është se ka qenë pak e vështirë fillimi sidomos kur është bërë izolimi i tyre pasi ne e kemi bërë më herët izolimin, kjo ka qenë pak e vështirë deri sa këta janë bindur se çka saktësisht po ndodh dhe me u njoftua me gjendjen e pandemisë. Gradualisht duke ju sqaruar dhe duke bërë këshillime psikologjike, kanë filluar edhe këta ta shohin dhe gjithçka ka shkuar në rregull, edhe pse gjithë kemi pasur frikë por jemi munduar që tek këta mos ta shfaqim, pasi dihet që mosha e tretë ka qenë pak më e rrezikuar”, ka thënë psikologjia Fazliu.

“Tash të them drejtën, pandemia i ka penalizuar shumë, sepse nuk kanë mundur të dalin, të shëtisin nëpër vende ku si qendër i kemi dërguar, ka ndikuar shumë kjo tek ta, mirëpo tash që kemi një stabilizim të gjendjes edhe emocionet e tyre janë më në nivel. Edhe tash që kanë dëgjuar për ardhjen e vaksinave mezi po presin me i marrë dhe më kanë pyetur edhe mua për vaksinën”, deklaroi ajo.

Në oborret e Shtëpisë së të moshuarve pa përkujdesje familjare qëndronin disa nga të moshuarit, kishte nga ata që gjenin qetësi nën tingujt e radios, e disa të tjerë që ngushëllimin e kishin tek macet dhe kujdesin ndaj tyre./EO