Arbëri

Puna e mjekëve ambulantë që japin shërbime mjekësore nëpër shtëpi

Descriptive Text

Që nga ora shtatë e mëngjesit, fillojnë punën duke pranuar thirrje të shumta nga pacientët që kërkojnë ndihmë mjekësore.

Shërbimi i mjekimit shtëpiak që është pa pagesë dhe funksionon në kuadër të Qendrës së Mjekësisë Familjare në lagjen e Muhaxherëve. Këtu gjatë ditës pranohen deri në 30 thirrje, nga pacientët kryesisht me sëmundje kronike.

Në këtë qendër janë tre mjekë që gjatë dy ndërrimeve, ofrojnë shërbim edhe për pacientët me sëmundje malinje.

Që nga viti 2005, kur ky shërbim edhe ka filluar të funksionojë me orar të rregullt, janë hapur afër 3 mijë kartela mjekësore.

Doktoresha Sahadete Kelmendi ka treguar më shumë rreth pacientëve të tyre.

“Kartela shëndetësore për ne ka rëndësi të madhe, sepse në të regjistrohen të gjitha vizitat, llojet e terapive, referimet, hospitalizimet gjitha këto dhe për ne ka shumë rëndësi kjo. Pacientët që kanë kartela, zakonisht janë ata me sëmundje kronike. Kemi kartela të hapura nga viti 2005 dhe ekziston ende si pacient te ne. Kartela nuk kanë pacientët që janë në stadin e fundit të jetës, zakonisht pacientët që kanë sëmundje malinje, i regjistrojmë vetëm në fletëza kompjuterike. Mundohemi t’i kursejmë kartelat shëndetësore, sepse e kemi të kufizuar numrin e tyre, meqë kanë qenë donacion”, thotë Kelmendi, doktoreshë e shërbimit të mjekimit shtëpiak.

Ndërsa sa i përket terapisë, doktoresha Sahadete thotë se ata posedojnë 80 për qind të terapisë së nevojshme, megjithëse nganjëherë ka mungesa.

“80 për qind të terapisë i kemi, mirëpo kemi edhe mungesa të terapisë ndonjëherë, varësisht se si na furnizon menaxhmenti. Menaxhmenti i ka dhënë gjithmonë prioritet shërbimit tonë me pajisje mjekësore, sepse shërbimi ynë përfshin një kategori të pacientëve më të ndjeshëm. Janë pacientë të moshave të ndryshme. Ne nuk mund të shkojmë te pacienti nëse nuk kemi terapi për ta ndalur dhimbjen”, thotë ajo.

Pasi përgatisin çantat me mjetet dhe barnat e nevojshme, ata veshin rrobat mbrojtëse për shkak të gjendjes së pandemisë.

Pas kësaj, dy ekipe të paradites, të përbëra nga një doktoreshë dhe infermiere nisen në terren, te pacientët.

Për shkak se është mëngjes, ata nuk hasin shumë në kolona dhe arrijnë shumë shpejt në lokacionin e duhur.

Pacientja e parë është Fahrije Ahmeti, e cila ka afër gjashtë vjet që merr shërbime nga ky staf.

“Qe gjashtë vjet. Pata dhimbje shumë, tash kjo tjetra. Mirë boll, na kanë folur mirë, veç që na kanë folur mirë, mjafton. Një herë vinin përditë, tani një ditë po një ditë jo”, thotë pacientja Fahrije Ahmeti.

Por, këto shërbime nuk ofrohen edhe gjatë vikendit. Andaj Fahrija shpesh duhet të paguajë taksi apo të marrë shërbime private.

“Zonjën Fahrie e kemi paciente qe 5 vjet, është me diabet, ka edhe komplikime të veta. Është me insulinë dhe momentalisht jemi duke ia bërë pastrimin e plagëve një ditë po, një ditë jo. Gjatë vikendeve ne nuk punojmë dhe është nevojë shumë e madhe që të punojmë edhe të shtunën dhe të dielën. Po e shihni gjendjen e saj, ajo detyrohet të shkojë edhe në vikend ta pastrojë plagën, detyrohet të marrë shërbim privat apo të shkojë nëpër qendra dhe kjo i kushton. Ne jemi të gatshëm të mbajmë kujdestarinë në qendrën tonë. Kemi bërë një kërkesë të shohim se si po shkon kjo procedurë”, thotë doktoresha Kelmendi.

Gjatë kohës që mjekojnë pacienten Fahrije, mjekët gjithmonë kujdesen për ta kontrolluar edhe bashkëshortin e saj, Idrizin.

“Jam i kënaqur me to, sa herë vijnë me fjalë na shërojnë edhe me punë. Gjithmonë kemi qenë të kënaqur me to. Vaksinat (injeksionet) kur kemi pasur t’i marrim, kanë ardhur na i kanë dhënë këto(infermieret). Se nuk kemi mundur të shkojmë vetë, unë duhet ta bëj gati”, deklaron Idriz Ahmeti.

Me t’u kthyer nga terreni, ata kujdesen për të plotësuar në detaje kartelat, të cilat nuk kanë mundësi t’i kryejnë gjatë kohës që janë me pacientë.

Ndryshe, ky lloj shërbimi ka funksionuar nga viti 1986, mirëpo është ndalur në vitin 1992 nga forcat e dhunshme. Pas luftës ka pasur kriza të hapjes dhe mbylljes. Ndërsa nga viti 2005 ka funksionuar me orar të rregullt në një ndërrim. Kurse, nga qershori i vitit të kaluar ka filluar me dy ndërrime, ndërrimi i parë nga ora 7 deri në orën 13:00 dhe orari dytë nga 13:00 deri në orën 19:00.