Arbëri

Tollovi të përditshme në sportelet e Komunës së Prishtinës, qytetarët të frustruar

Pa e paguar taksën rrugore, qytetarët nuk mund t’i regjistrojnë veturat e tyre. E për ta kryer këtë obligim që kushton vetëm 10 euro, ata po detyrohen të presin me orë të tëra në Komunën e Prishtinës.

Tollovi të mëdha po krijohen pothuajse çdo ditë në komunë, dhe qytetarët detyrohen të presin së paku 2 orë pasi që fillimisht duhet paguar tatimin në pronë.

Këto pritje të gjata për ta janë shumë të lodhshme.

“Kam ardhur në orën 10 e 05 minuta, tash është gati ora 12:00, edhe 28 persona i kam para meje. Për trishtim është kjo për një dokument që mund të kryhet për pesë minuta. Nuk e di pse gjithë kjo burokraci në këtë komunë. Çka kanë bërë, kanë vendosur numra, e tash thonë kemi vendosur rend, kemi vendosur rregull, për mua kjo është absurde. Nuk e di a janë duke punuar apo jo, por ky rend të tregon se nuk janë duke punuar. Dje ka qenë kështu, sot njësoj, e njëjta situatë çdo ditë”, ka thënë Nexhmi Leci.

“Një orë e 40 minuta. Kam ardhur për ta paguar taksën 10 euro për të regjistruar veturën”, ka deklaruar Rrahim Gashi.

Ndërsa, ata të cilët përfaqësojnë kompani të ndryshme thonë se për secilin automjet kërkohet e njëjta procedurë, e cila shoqërohet me pritje të gjata.

“Qe 40 minuta dhe kur vjen numri nuk dihet. Ne i kemi disa vetura të firmës dhe po duhet çdo herë të vij për të pritur në rend. Po na paraqet shumë problem. Unë punoj në një autoshkollë, duhet t’i humbasim më së paku dy orë”, është shprehur Qerim Berisha.

“E palogjikshme. Ti i ke pesë vetura dhe duhet të vish pesë herë ta nxjerrësh nxjerrë tatimin në pronë. Tatimi në pronë paguhet për 1 vit ose për të gjitha veturat një dokument. Unë, si firmë, duhet të vij gjashtë herë për të pritur për tatimin në pronë edhe për të pritur ka s’di sa sahat. Ajo duhet të nxirret një herë dhe të vlejë për një vit”, ka thënë Avni Imeri.

Këto shërbime nuk mund t’i kryejnë as përmes sistemit online, pasi thonë se nuk po funksionon.

“Është vërtet një administratë e ngadalshme, edhe pse është sistemi online nuk funksionon, del prej binarit. Është pritje e gjatë, është maltretim, me orë të tëra duhen për ta zërë rendin. Duhet një rifreskim që të mos presin palët, as në Afrikë nuk është kështu”, ka potencuar Ismet Sadiku.

Me gjithë tentimet e KOHËS për të marrë një përgjigje, drejtoresha e Financave në Komunën e Prishtinës ka refuzuar të flasë duke mos dashur të dijë se as për çka është fjala.