Arbëri

Braha: Rrethojat te “Rrethi i Flamurit” janë të përkohshme, por të domosdoshme

Descriptive Text

Medina Braha, drejtoreshë e shërbimeve publike në Komunën e Prishtinës, ka thënë se vendosja e rrethojave te “Rrethi i Flamurit” është e përkohshme, por e domosdoshme për shkak të trafikut të dendur.

Braha në emisionin “038” të KTV-së tregoi projektin, i projektuar nga profesorë nga Shkupi si dhuratë për Komunën e Prishtinës, për ndërtimin e një rrethrrotullimi turbo te “Rrethi i Flamurit”. Nga ky projekt, pritet të rregullohen edhe rrethojat e vendosura përkohësisht, të cilat do të jenë më të qëndrueshme dhe më të mira në aspektin estetik.

“Projekti është projektuar nga profesorë nga Shkupi, që kanë qenë të përfshirë në ndërtimin e rrethrotullimeve turbo në Shkup. Mund të them që ky projekt është si dhuratë nga ta, por realizimi na takon neve. E kemi dërguar në prokurim, por ende nuk është shpallur tenderi. Menjëherë si të nënshkruhet kontrata, ne do të fillojmë realizimin. Edhe te rrethojat e fundit do të intervenohet me këtë projekt dhe do të duken krejtësisht ndryshe. Rrethojat kanë qenë të domosdoshme për shkak të trafikut që është zhvilluar aty. Vendkalimin që ka qenë te shkolla ‘Ali Sokoli’ e kemi vlerësuar si problematik, pasi ka krijuar pengesa për veturat, por edhe për këmbësorët. Tani, te semaforët te Qendra e Mjekësisë Urgjente është vendosur vendkalimi i ri. Meqë është diçka që do të ndryshojë brenda disa muajve, nuk e kemi parë të logjikshme të shpenzohet shumë për ato rrethoja. Në aspekt estetik, ndoshta dikujt nuk mund t’i duken të mira, por janë të përkohshme”, u shpreh Braha.

Ndërkohë, sa i përket vendosjes së pengesave nëpër rrethrrotullime, Braha ka thënë se qytetarët se nuk respektojnë rregullat e komunikacionit për rrethrrotullime, prandaj, sipas saj, vazhdojnë ende problemet të tilla.

“Vendosja e pengesave është bërë për ta mundësuar kyçjen dhe shkyçjen në rrethrrotullime me rregulla të komunikacionit. Asnjë rrethrrotullim në Prishtinë nuk është i njëjtë, dhe shumica prej tyre kanë probleme serioze si janë struktura. Qytetarët në përgjithësi nuk i respektojnë rregullat e komunikacionit në rrethrrotullime, përparësinë e këto gjëra. Edhe me pengesa, prapë qytetarët po kanë probleme me kyçjen në rrethrrotullim, pavarësisht vendosjes së pengesave, siç është rasti në Arbëri”, u shpreh Braha.