Komuna e Prishtinës bën intervenime sa i përket qenve endacakë më shumë për ta zbutur situatën sesa për të bërë zgjidhje afatgjate, ka deklaruar në emisionin “038” të KTV-së, drejtoresha e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Medina Braha sipas së cilës komuna ka ndarë 250 mijë euro për trajtimin e qenve endacakë për këtë vit.
Sipas saj, komuna ka dy lloje të trajtimeve të qenve endacakë që janë vaksinimi e sterilizimi dhe pika ushqyese për këta qen.
“Ne kemi dy lloje të trajtimeve: e para trajtimi i vaksinimit dhe sterilizimit. Tjetra është pika ushqyese për qentë endacakë, i kemi pesë pika. Ato mbushen në mëngjes dhe pastaj qentë shkojnë dhe ushqehen aty. Edhe qentë e trajtuar nëse janë të uritur mund të jenë agresiv. Të gjitha intervenimet që ne i bëjmë si komunë janë më shumë intervenime për ta zbutur situatën sesa për ta bërë një zgjidhje afatgjate. Duhet shikuar ndoshta edhe modifikime ligjore në mënyrë se si të trajtohen qentë që lëshohen prej pronarëve. Është po ashtu e rëndësishme që të kemi mundësinë dhe të gjejmë mundësi për t’i vënë në kontakt me ata që janë të interesuar t’i adoptojnë”, ka thënë Braha.
Sipas saj, një problem të madh po paraqesin qentë që po lirohen prej pronarëve të tyre e të cilët deri në momentin e lirimit kanë qenë të mësuar me ambient tjetër dhe pastaj kur dalin në rrugë u ndryshon gjendja.
Kohëve të fundit ka pasur shumë raportime për sulmet nga qentë endacakë.