“Do të jem vetëm kryetar komune” kishte deklaruar kur garonte për këtë post në vitin 2013, Shpend Ahmeti.
Por nuk i kishte qëndruar besnik zotimit, pasi që kishte garuar edhe në nivel qendror. Ai në dy mandatet e tij kishte lënë anash Prishtinën edhe kur u mor me ekipin negociator.
Në zgjedhjet vendore të vitit 2017, Shpend Ahmeti që ishte si pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje arriti të marrë 76 mijë e 17 vota.
Ndërsa dy vjet më vonë, në 2019, Ahmeti kandidoi në zgjedhje si kryetar i Partisë Social Demokrate, në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Në këto zgjedhje ai mori vetëm 5 mijë e 881 vota, që i bie 70 mijë e 136 vota më pak se në zgjedhjet paraprake.
Kështu ai nuk arriti të bëhet as deputet dhe kjo ishte edhe arsyeja që dha dorëheqje nga PSD.
Por këto zgjedhje duket se ai përfundimisht do të jetë vetëm kryetar komune. Ai nuk është pjesë e asnjë liste zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Kjo po cilësohet si më e drejta.
Sipas drejtorit ekzekutiv të organizatës jo-qeveritare “Çohu”, Arton Demhasaj, garimi i Ahmetit në këto zgjedhje do të ishte i pakuptimtë, kur dihet se ka humbur besimin e elektoratit.
“Nuk besoj që është qeverisja e Prishtinës. Më tepër besoj se është lëvizja nga partia që ishte, pra Lëvizja Vetëvendosje, krijimi i partisë së tij. Kjo lëvizje politike e tij ka ndikuar që ta humb besimin në elektorat dhe në një mënyrë kjo është arsyeja që ai sot nuk është në asnjë parti politike dhe as nuk garon në zgjedhje dhe me gjasë përfundimi i mandatit në Komunën e Prishtinës mund të jetë një lloj i përmbylljes së karrierës së tij politike. Momentalisht kështu duke, në të ardhmen ai mund të angazhonte në ndonjë parti tjetër, por momentalisht kjo është”, ka thënë Demhasaj.
Demhasaj ka shtuar se ndryshimi i qasjes së Shpend Ahmetit ndaj Vetëvendosjes ditëve të fundit, mund të jetë arsye e kthimit të tij në këtë parti.
“Kur janë ndarë nga Vetëvendosje kanë pasur sulme goxha të ashpra, ndërsa kur i shohim ditëve të fundit ka një relaksim i reagimit të tyre. Të gjitha këta që kanë dalë dhe nuk janë pjesë e PSD e kanë një qasje më ndryshe ndaj Vetëvendosjes, kjo mund të jetë arsye që Ahmeti pretendon të kthehet në Vetëvendosje ose edhe në ndonjë parti tjetër politike dhe kjo mund të jetë strategji që mos ta sulmoj shumë Vetëvendosjen sepse e dimë që kushdo që e sulmon Vetëvendosjen është i urryer nga një pjesë goxha të konsiderueshme të publikut dhe kjo mund të jetë arsyeja që Ahmeti ka një qasje më të butë dhe më pro Vetëvendosjes”, ka deklaruar më tej Demhasaj.
Në anën tjetër, Qendrim Arifi nga INPO thotë se Shpend Ahmeti “është dënuar” nga votuesit e tij, për shkak se nuk ka mbajtur premtimet e dhëna.
Sipas tij, shumica e dokumentit me 100 premtimet e tij, ende ka mbetur në fazën fillestare.
“Po mos të rrish mbrapa asaj që ke premtuar për qytetarët sigurisht që kjo do të ndikojë në votat që do t’i marrësh. Ne e kemi parë edhe në votat që ka marr Shpend Ahmeti edhe në zgjedhjet e kaluara, mirëpo është e paarsyeshme edhe faktin e subjektit politik që përfaqëson, sepse është i njëjti kryetar që ka qenë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ka marrë dhjetëra mijëra vota edhe subjekti politik ndikon, por mandate ka qenë më ndryshe. Është parë efekti nga ish qeverisja e Isa Mustafës, por me kohën te ndryshimet elementare janë bërë shpejt dhe kemi parë një ngecje në politikat strategjike zhvillimore. Kemi të njëjtën rrëmujë si para 10 viteve”, ka thënë Arifi.
Disa qytetarë mendojnë se Ahmeti ka bërë mirë që nuk është përfshirë në këto zgjedhje, pasi duhet të koncentrohet më shumë në qeverisjen lokale. Por, ka të tillë që mendojnë se Ahmeti duhet të largohet edhe nga qeverisja lokale.
Pas përfundimit të mandatit të dytë në Prishtinë, nuk dihet ende nëse Shpend Ahmeti do të rikandidojë për kryetar. Zgjedhjet lokale pritet të mbahen këtë vjeshtë.