Arbëri

HANDIKOS-i kërkon ndihmën e premtuar nga Komuna e Prishtinës, Ahmeti drejton gishtin kah Thesari

Shoqata HANDIKOS sot ka bërë një kërkesë publike ndaj Komunës së Prishtinës rreth njoftimit që e kishte bërë në muajin nëntor të vitit të kaluar, për subvencionim me nga 80 euro te personave me aftësi të kufizuara që jetojnë në Prishtinë.

“Më datë 24 nëntor 2020, kryetari i komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti përmes një statusi në profilin e tij në Facebook pati njoftuar se personat me aftësi të kufizuara që jetojnë në Prishtinë, në fundvit do të subvencionoheshin me nga 80 euro, si mbështetje ndaj situatës me pandeminë COVID-19 në Kosovë”, thuhet në komunikatë. “Andaj, HANDIKOS bën kërkesë publike ndaj komunës së Prishtinës dhe kryetarit Ahmeti që të dalin me një sqarim lidhur me premtimin e bërë para dy muajve, në mënyrë që personat me aftësi të kufizuara të informohen nëse procesi është anuluar apo do të përfundojë së shpejti”.

Në njoftimin e Ahmetit në nëntor ishte bërë e ditur se Komuna do të ndajë nga një subvencion prej 80 euro për secilën familje në asistencë sociale, në dy kategoritë e varfërisë si dhe subvencion prej 80 euro për secilin person me aftësi të kufizuara në këtë komunë. Ai ishte zotuar se pagesat do të bëheshin në dhjetor.

Ndërkohë në një sqarim të mëvonshëm, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se kjo komunë “ka vazhduar me çdo pagesë sipas zotimeve”.

Megjithatë ai ka shtuar se pagesat ekzekutohen nga Thesari i Republikës së Kosovës.

Ahmeti ka shkruar në Facebook se sipas legjislacionit në fuqi, niveli qendror e ka mbyll Thesarin në fund të dhjetorit për të përmbyll vitin financiar dhe ende nuk është rihap.

“Në momentin që Thesari hapet dhe mjetet alokohen për Komunat sipas Ligjit në Fuqi, pagesat do të vazhdojnë për të gjithë përfituesit”, ka shkruar Ahmeti.

Komuna e Prishtinës kishte premtuar ndihmë financiare edhe për të prekurit nga koronavirusi, grante për bizneset, ndihma bujqësore etj.