Arbëri

Nga reshjet, Prishtina siguron ujin e pijshëm për këtë vit

Ngritja e nivelit të ujit ka ofruar siguri të madhe për të gjithë banorët që furnizohen me ujë të pijshëm nga dy liqene, ai i Badovcit dhe ai i Batllavës.

Sipas kryeshefit ekzekutiv të K.R.U Prishtina, Sokol Xhafa, sfidë mbeten turbullirat që janë shkaktuar nga vërshimet.

“Pjesa e prurjes së mëdha me vërshime kanë ndikuar që ngritja të jetë e shpejtë. Kjo patjetër është e mirëseardhur, sepse ofron siguri për të gjithë banorët gjatë gjithë vitit, por për pjesën tonë është një sfidë tjetër për shkak të turbullirave. Duke shpresuar që do të kalojë pa dëme kjo pjesë e vërshimeve në këtë periudhë, mund të jetë 1 javë maksimumi për çdo familje, por në aspektin e përgjithshëm të gjithë konsumatorët janë falënderues dhe është i mirëseardhur një shi i tillë”, u shpreh Sokol Xhafa, kryeshef ekzekutiv i K.R.U. Prishtina.

Xhafa gjithashtu ka treguar se gjatë kësaj jave disa nga burimet nëntokësore janë nxjerrë jashtë funksionit.

Kjo ka bërë që të ketë mungesa të ujit të pijshëm në shumë lagje të Prishtinës.

“Sa i përket burimeve tjera nëntokësore që përdorim, një pjesë të tyre e kemi nxjerrë jashtë funksionet këto ditë të dendura me reshje. Ka qenë rekomandim edhe i Shëndetit Publik mirëpo edhe laboratorët tona mobile të cilat punojnë 24 orë pa pushim i kanë përcjellë kualitetin e ujit për pije. Kualiteti është brenda standardit për pije por ne jemi të detyruar të reduktojmë pjesën e trajtimit në të gjitha impiantet. Shumica e Prishtinës kanë reduktime”, ka shtuar Xhafa.

Disa lagje kanë pasur edhe ndërprerje të ujit për disa ditë me radhë.

Banorët e lagjes “Hajvali” thonë se deri në 4 ditë kanë mbetur pa ujë për shkak të prishjeve që kanë ndodhur nga përmbytjet.

“Nga ora 2 është ardhur uji i madh dhe urën aty e ka thyer. 4 ditë nuk kemi pasur ujë e kanë rregulluar dje”, deklaroi Ferid Sinani, banor i lagjes “Hajvali”.

“Prej orës 5 të hënën kur jam zgjuar nuk kemi pasur ujë hiq. Ka ardhur dje nga ora 4 e gjysmë dhe kur është ardhur është ardhur shumë i ndotur, është ardhur krejt lloç edhe apët nuk është sa duhet i kthjellët nuk është as për pije as për t’u pastruar”, ka shtuar banorja e kësaj lagjeje, Xhezide Hajzeri.

Në anën tjetër, Burbuqe Nushi-Latifi, koordinatore e qendrës së ujit në IKSHPK, thotë se është ende e nevojshme ulja e prodhimit të ujit të pijshëm.

“Kemi pasur ankesa të qytetarëve për ndërrim të ngjyrës së ujit si rezultat të dëmtimit të gypave në rrjet. Pas informacioneve sot në mëngjes nga kompanitë e ujit, situata është duke u stabilizuar dhe rezulton me ulje të turbullirës në prurje. Ende është e nevojshme të ulet prodhimi dhe të sforcohet filtrimi dhe mbikëqyrja”, tha Nushi-Latifi.

Ndryshe, edhe Komuna e Prishtinës ka deklaruar se po informohen vazhdimisht për cilësinë e ujit.