Metro

Prishtinasit kanë afat deri më 28 shkurt për të marrë kartën rezidente për parking

Prishtinasit kanë afat deri më 28 shkurt për të marrë kartën rezidente për parking
 

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në konferencën për prezantimin e fillimit të projektit të menaxhimit të parkingjeve publike dhe mënyrat e pagesave, tha se të mërkurën do të fillojë zbatimi i pagesës për çdo makinë në hapësirat që janë të shënjuara në rrugë.

“Kemi bërë një zgjidhje që do t’i adresojë shumë gjëra. Do të bëjmë zvogëlimin e veturave në qendër. Nga nesër do të fillojmë zbatimin e pagesës për çdo makinë në hapësira që janë të shënjuara në rrugë. Nga nesër po ashtu fillon fushata një javore vetëdijësuese në krejt qytetin”, u shpreh ai.

Tutje, Ahmeti tha se për personat që nuk janë banorë rezident të Prishtinës, për ta kufizimi vlen prej dy orësh.

Ai ka shtuar se mundësia e parë e pagimit të parkingut është përmes aplikacionit Prishtina Parking., ndërsa, opsioni i dytë është përmes operatorëve Ipko e Vala.

“Mundësia e tretë e kemi me një pajisje që quhet “Parking metër” kryesisht vlen për biznese. Mundësia e katërt është përmes biletave fizike që blihen në postë”, shtoi ai.

Tutje, Ahmeti tha se banorët e Prishtinës kanë afat që deri më 28 shkurt të marrin kartën rezidente të tyre.