Arbëri

Rruga që nuk u asfaltua asnjëherë në 20 vjet

Descriptive Text

Kjo është rruga “Shaip Kamberi’’ që lidh lagjen ‘’Velania’’ të kryeqytetit me Qendrën.

Nëpër këtë rrugë qarkullimi ditor është i shpeshtë, por problem kyç mbetet mosintervenimi në të.

Sipas banorëve, kjo gjendje e rrugës është që nga paralufta.

Banori i lagjes, Rexhep Osmani, ka thënë se punimet në këtë rrugë qysh kur ishin bërë 20 vjet më parë, nuk ka pasur më riparime.

“Nëpër të gjitha fshatrat i kanë rregulluar, ndërsa kjo që para luftës është shtruar në beton. I ka dhjetë vjet e më shumë që nuk mund të kalohet këtu. Uji e kanalizimi është kur i kanë ndërtuar para 20 vjetëve”, tha ai për emisionin 038 të KTV-së.

Të tjerë banorë thonë se të shpeshta janë rastet kur këtu është e pamundur të kalohet, ndërkohë që shumë herë u janë dëmtuar edhe automjetet.

Thonë se interesimi komunal është shfaqur vetëm gjatë fushatave, porse situata në terren nuk ka ndërruar shumë edhe me gjithë ankesat.

Lulëzim Gosalci, një tjetër banor, thotë se dimri e bën më vështirë të kalueshëm këtë rrugë.

“Është ëvshtirësi e madhe me kalu në këtë rrugë. Dimrit nuk mund të futesh në këtë rrugë fare, prej borës”, tha ai.

Banori Agim Krasniqi tha se asnjë kryetar i komunës nuk ka qenë ndonjëherë i interesuar të intervenoj për rrugën.

“Fati që sivjet nuk ka rënë borë sepse nuk do të mund të ngjiteshim dhe mbesim të bllokuar. Asnjë kryetar i komunës nuk ka ardhur të intervenoj, paguajmë taksa, Shpendi ka qenë dhe nuk i ka interesuar”, tha ai.

‘’Rruga Shaip Kamberi këtu në lagjen ‘Velania’ përpos që nuk është asfaltuar për më shumë se 20 vjet sipas banorëve, nuk është futur as në buxhetin e vitit 2020 e as në atë të vitit 2021 për intervenim.

E sipas zyrtarëve komunalë ka filluar inicimi i procedurave të tenderimit për këtë rrugë dhe disa rrugë të tjera të lagjes “Velania’’.

Drejtori i investimeve kapitale, Gëzim Mehmeti, e ka quajtur të domosdoshëm intervenimin në këtë rrugë për shkak se thotë se është shumë e dëmtuar.

‘’Rrugët ‘Mustafa Kruja’ 350 metra, ‘Dimitrije Tuçoviq’ 100 metra dhe një krah i rrugës ‘Shaip Kamberi’ me gjatësi 400 metra janë të planifikuara dhe të dërguara, kemi filluar me procedurat e tenderimit. Këto rrugë i kam vizituar disa herë dhe është shumë e domosdoshme intervenimi në këto rrugë sepse janë me një shtresë të betonit e cila është shumë e dëmtuar dhe për këtë arsye kemi filluar të veprojmë në këto rrugë që vitin e ardhshëm diku kah pranvera, intervenimin varësisht prej procedurave të prokurimit’’, tha ai.

Mehmeti tutje shtoi se rruga ‘’Shaip Kamberi’’ bashkë edhe me disa rrugë të tjera në buxhetin e vitit 2020 hyjnë tek plani për hartimin e projekteve për infrastrukturë rrugore në Prishtinë dhe jo si projekte të veçanta.