Arbëri

PDK-ja kritikon Komunën e Prishtinës për mosvendosjen e kolektorit në “Kalabri”

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Prishtinë ka kritikuar komunën e Prishtinës për mosvendosjen e kolektorit në lagjen “Kalabria” në Prishtinë, duke thënë se po rrezikohet jeta e fëmijëve, shëndeti i qytetarëve, shtëpitë e tyre dhe funksionimi i bizneseve.

Drejtues të PDK-së kërkuan që kolektori i ujerave të zeza urgjentisht të vendoset dhe mos të keqpërdoret durimi i qytetarëve karshi kësaj gjendje.

“Është absurde se si në zemër të Prishtinës, ka lagje të tilla ku kundërmojnë erërat e zeza dhe rrezikojnë jetën e qytetarëve... Nëse nuk do t’i marrin këto kërkesa parasysh, ne si grup i PDK-së në Kuvendin Komunal do të organizohemi në çdo formë që ky projekt të realizohet sa më parë, për shkak se këtu kemi të bëjmë me jetën dhe shëndetin e qytetarëve, që preket drejtpërdrejt dhe rrezikohet nga ky kolektor”, ka thënë asamblisti Leotrim Retkoceri në një konferencë për media.

“Mosveprimi për vendosjen e kolektorit në lagjen ‘Kalabria’ në Prishtinë, po e rrezikon jetën e fëmijëve, shëndetin e qytetarëve, shtëpitë e tyre dhe funksionimin e bizneseve. Kolektori i ujërave të zeza duhet urgjentisht të vendoset dhe mos të keqpërdoret durimi i qytetarëve karshi kësaj gjendje”, ka shtuar asamblistja Suzana Vuçitërna-Kika.

Banori i kësaj lagje, Ismet Cani thotë se ndaj qytetarëve të kësaj lagje po ndodh një krim.

“Problemi i ujerave të zeza në lagjen ‘Kalabria’, është problemi më i madh momental i qytetit të Prishtinës, i cili në vete përmban rrezikimin e jetës së njerëzve për shkak të kundërmimit shumë të rënd. Ne kemi pas kontakte që nga fillimi i mandatit të parë të kryetarit aktual, i cili nuk ka marrë diçka konkrete.... mosveprimi i personave të autorizuar për eliminimin e rrezikut të shëndetit të qytetarëve, është vepër penale. Ne një ditë mund edhe ta humbim durimin”, ka thënë ai, raporton KP.