Arbëri

Prindërit kundër drejtoreshës së shkollës “Naim Frashëri” në Prishtinë

Prindërit e nxënësve të një klase të dytë në shkollën fillore "Naim Frashëri” në Prishtinë protestuan sot kundër drejtoreshës së kësaj shkolle, Shpresa Vllasalia, raporton RTK. Sipas tyre, kjo e fundit ka sjellje arrogante ndaj mësimdhënësve, për çka edhe mësuesja e kësaj klase, Linditë Kurshumliu, ka tash e disa ditë që nuk vjen në shkollë.

Mësuesja Kurshumliu, sipas prindërve, javën e kaluar ka pasur një konflikt verbal me drejtoreshën Vllasalia, ku më pas ishte alivanosur para kolegëve. Drejtoresha mohon të ketë pasur komunikim të tillë, derisa thekson se është për të vendosur rend. Ndërkaq, prindërit e kësaj klase thonë se që nga sot nuk do sjellin fëmijët e tyre në shkollë.

Për 10 minuta, prindërit të mërkurën protestuan para shkollës duke kërkuar që të zgjidhet ky problem.

Përfaqësuesja e Këshillit të Prindërve, Ejona Icka tha se prindërit e nxënësve janë shumë të kënaqur me mësuesen.

"Sot kemi dalë të protestojmë sepse mësuesja e klasës tonë mungon që dy javë për shkak se nuk ndihet mirë me shëndetin dhe kjo ka ndodhur për shkak të një komunikimi arrogant të drejtoreshës. Kanë pasur takim stafi, drejtoresha i është drejtuar me një komunikim të papranueshëm. Edhe fëmijët tanë po mësohen nga mësues të ndryshëm apo studentë të cilët nuk kanë aftësi për t’i mësuar. Gjatë kohës së mësimit vetëm luajnë tik-tok ose bëjnë lojëra të ndryshme. Dhe kjo është e papranueshme", ka theksuar Icka.

Sipas saj, me këtë gjuhë komunikimi ka që një vit që ndodhë dhe që nuk është zgjidhur asgjë.

Kryetari i Këshillit të Prindërve, Berat Zhinipotoku tha se është i shqetësuar me sjelljen e drejtoreshës së kësaj shkolle, derisa shton se janë të papranueshme veprimet e papërgjegjshme të saj.

Ndërsa, drejtoresha e shkollës, "Naim Frashëri", Shpresa Vllasalia ka kërkuar nga kjo mësuese që të kthehet në punë.

Sipas saj, mësuesja konsumon duhan në ambientet e shkollës ku nuk lejohet një gjë e tillë dhe këtë ajo tha se nuk e toleron pasi nuk është model i mirë që i ofrohet nxënësve.