Arbëri

Edhe pse u paralajmëruan ndryshime, kioskat në kryeqytet mbesin të njëjtat

Qoftë në qendër apo edhe pjesë të tjera të qytetit, kioskat janë të hapura ngado për qytetarët.

Ndërkohë, që u fol shumë për projektin, i cili përfshinte edhe ndërrimin e pamjes së tyre, kioskat vazhdojnë të mbesin po të njëjtat, raporton emisionit “038” në KTV.

Ndryshimet e paralajmëruara në vitin 2019 edhe për dhënien në shfrytëzim të kioskave bën që shfrytëzuesit aktualë të kundërshtojnë..

Shukrije Berisha, shitëse prej më shumë se 20 vjetëve vazhdon të mendojë se ndryshimet në infrastrukturë duhet bërë vetëm me kushtet e tyre.

Ajo thotë se e ka të vështirë furnizimin e kioskës me mall, pasi që kioska zor se i plotëson kushtet për shfrytëzim maksimal.

Megjithëse është e rëndësishme që, sipas saj, të arrihet mirëkuptimi mes tyre dhe komunës drejt kësaj pike.

Pandemia thonë shfrytëzuesit aktualë ka ndikuar edhe në punën e tyre.

E Sadudin Bajrami, përfaqësues i punëtorëve të kioskave në Prishtinë thotë se nuk janë kundër ndërrimit të pamjes së vjetruar të kioskave për aq kohë sa Komuna nuk i largon ato nga shfrytëzimi i tyre.

Ai thotë se bashkë me zyrtarë komunal janë angazhuar drejt gjetjes së një gjuhe të përbashkët për pikat në të cilat i kanë pasur këto mosmarrëveshje.

Zyrtarë komunalë nuk kanë treguar nëse kanë marrë ndonjë iniciativë të re. Ndryshimi në organizim të kioskave dhe konkursi për dhënien në shfrytëzim të tyre ishte anuluar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës në gusht të vitit 2019, kjo për shkak të kriterit që fituesi të ketë 5 milionë euro qarkullim në vit.

Janë gjithsej 36 kioska e që shumë prej tyre aktualisht janë të pashfrytëzuara.