Arbëri

Rritet numri i vdekjeve në Prishtinë, për tre muaj 26 më shumë se në periudhën e njëjtë më 2019

Foto: Alban Bujari / KOHA

Është rritur numri i të vdekurve në Komunën e Prishtinës në vitin 2020 në krahasim me shifrat e një viti më herët. Në një raport të ndërmarrjes publike “Hortikultura” shihet se për tre muajt e fundit janë kryer 214 varrime, 26 më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të shkuar.

Raporti po ashtu tregon se vetëm në korrik janë kryer 96 varrime në kryeqytet, apo 31 më shumë se në korrikun e 2019-s. Në maj dhe qershor sivjet janë kryer nga 59 varrime, ndërsa një vit më herët, në maj ishin kryer 57 varrime e në qershor 66. Më 2019 në tre muajt në fjalë ishin kryer 188 varrime.

Raporti po ashtu thekson se ngritja e rasteve të varrimeve vjen për shkak të situatës pandemike të krijuar në vend. Për tre muajt e fundit, raporti tregon se janë kryer 22 varrime të të vdekurve nga COVID-19 në kryeqytet.

Si pasojë e pandemisë COVID-19, në Kosovë deri tash janë regjistruar 365 vdekje. Kësaj liste i prin kryeqyteti. Në raportin e datës së 9 gushtit, në kryeqytet ishin të regjistruar 44 vdekje deri tash.

Në Kosovë janë regjistruar 10795 raste pozitive me koronavirus deri tash.

Image