Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka kritikuar qasjen e institucioneve qendrore në lidhje me trajtimin e qenve endacakë, të cilët përveç rreziqeve për qytetarët krijojnë edhe pamje të shëmtuar për kryeqytetin. .
Përmes një postimi në Facebook, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka rikujtuar se tash tri vjet ka kërkuar hartimin e një strategjie nacionale për evitimin e këtij problemi, por pa ndonjë sukses. .
Në vazhdim, postimi i plotë i Ahmetit:
Ka më shumë se tre vite që kam dërgua shkresa e shkresa tek institucionet e nivelit qendror për qentë endacak. Në mes tjerash kam kërkuar strategji nacionale për këtë çështje.
Komuna e Prishtinës është komuna që ka shpenzuar më së shumti në trajtim, dhe komuna që ka respektuar në përpikmëri Ligjin për Mbrojtjen e Drejtave të Kafshëve. Lehtë është me kalu ligj në letër evropian e mandej mos me u marr me këtë punë.
Çfarë ka ndodhur me 1.3 milion Euro të ndara nga Niveli Qendror për këtë çështje?
Edhe në letrën e dërguar te Këshilli i Sigurisë ku kam kërkuar që kjo çështje të trajtohet si çeshtje e sigurisë, jam pritur me përçmim.
E kam thënë se kur të ndodhin tragjeditë, vajtojmë.
Ne po bëjmë strehimore, dhe po trajtojmë qentë e po i kthejmë në rrugë. Edhe po i ushqejmë që mos të jenë agresiv.
Por kjo nuk mund të bëhet vetëm në Prishtinë edhe vetëm nga Prishtina. Kësaj radhe është kafshim e lëndim, po herën tjetër? Mandej kalojmë në ekstremin tjetër, përfundon postimi i kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.