Arbëri

Ahmeti: Mbyllja e shesheve në Prishtinë, porosi për qytetarët që këto ditë nuk janë për shëtitje

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti në RAPORT të KTV-së ka dhënë detaje rreth mbylljes së shesheve, sot në Prishtinë.

“Dje dhe pardje, në diskutimet me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Policinë e Kosovës, ka qenë rekomandim që të ndërmerret diçka rreth shëtitjeve të qytetarëve në shesh. Prandaj, duke pasur parasysh se temperaturat po rriten këto ditë, është vendosur që sheshet apo pjesa më e madhe e shesheve të rrethohen me shirita, në mënyrë që qytetarëve t’u dërgohet porosi që këto ditë nuk janë për shëti”, ka thënë ai.

Ahmeti ka thënë se kjo masë ka dhënë rezultatet e para. “Sot ka pasur numër më të reduktuar”, ka thënë ai.

Ahmeti ka folur edhe për një vendim tjetër, për detyrimin e marketeve për dezinfektimin e karrocave dhe shportave.

“Kemi kërkuar që marketet ta kenë edhe një punëtor që qëndrojnë tek karrocat dhe shportat për dezinfektimin e tyre, derisa një punëtor tjetër t’i jetë i caktuar për respektimin e distancës”, ka thënë ai.

Ahmeti po ashtu ka treguar se “në Komunë nuk do t’i ofrohen më shërbime askujt që nuk mban maska dhe doreza”.

I pari i Prishtinës ka bërë të ditur se masat e Komunës, janë bërë në koordinim të plotë me institucionet.

“Jemi në koordinim të plotë me Ministrinë e Shëndetësisë, IKSHPK-në dhe Policinëë”, ka deklaruar ai.