Me ndërtimet e reja në kryeqytet nuk po krijohen edhe hapësira të nevojshme jetese Foto: Driton Paçarada / KD

Me ndërtimet e reja në kryeqytet nuk po krijohen edhe hapësira të nevojshme jetese

24 February 2020 14:27

Viteve të fundit në kryeqytet janë ndërtuar e vazhdojnë të ndërtohen numër i madh i ndërtesave të larta të banimit, të cilat jo gjithmonë bëhen sipas planit. Ndërtesa të larta, distancë shumë e vogël ndërmjet tyre, mungesa e parkingjeve, këndeve të lojërave, janë disa nga karakteristikat e këtyre ndërtesave, ndërsa kontestohet edhe cilësia e këtyre ndërtimeve.

Ndërtimet në rrugën “B” dhe “C”, por edhe në brendi të qendrës së Prishtinës, shihen si problematike nga profesorët e Fakultetin të Ndërtimtarisë dhe atyre të Arkitekturës. Ata për KosovaPress, tregojnë se cilat janë mangësitë në ndërtimet e reja që po bëhen në kryeqytet.

Florina Jerliu, profesoreshë në Fakultetin e Arkitekturës, thotë se ndërtimet e reja nuk po arrijnë të krijojnë hapësira të qëndrueshme të jetesës, ku si problematike sheh rrugët e ngushta, ndërtesat e lart a dhe afërsinë shumë të madhe mes tyre.

Ajo thotë se në lagjet e reja përgjatë rrugës “B” dhe “C”, ka pasur hapësirë që të organizohen më mirë ndërtesat, por shton se është munduar që të shfrytëzohet toka maksimalisht për ndërtime.

“Lagjet e reja që janë krijuar në vazhdim të qytetit, të themi zona e Bregut të Diellit e sipër, rruga B, nuk kanë arritur me krijuar hapësira të qëndrueshme të jetesës, kemi rrugë të ngushta, ndërkohë që nuk kemi fare trotuare dhe krijojmë tollovi në mënyrën e organizimit të vijave të ecjes të qytetarëve, e natyrisht e kemi diellosjen problematike. Pra, janë ndërtesa të larta, janë afër shumë njëra me tjetrën dhe nuk është arritur që të bëhet eliminimi i strukturës së ngushtë apo indit të ngushtë urban për me u hap ajo zonë, meqë po ndërtohet mbi, ndoshta edhe jo krejt në toka të zbrazëta sepse nuk kanë qenë të tilla, por megjithatë ka pasur hapësirë që të organizohen pak më mirë”, thotë ajo.

Profesoresha Jerliu thotë se afërsia shumë e madhe e ndërtesave është problematike edhe në rast të ndonjë fatkeqësie. Sipas saj, është e pamundur që në rrugët e ngushta që janë bërë të futet ndonjë makinë e zjarrfikëseve në rast të ndonjë zjarri.

“Ekzistojnë distanca normative që janë minimale të cilat zakonisht planet tona i sugjerojnë, por ekziston edhe një distancë tjetër që ne fare nuk jemi duke e aplikuar në rastin e Prishtinës, distanca optimale. Nuk është e thënë të jetë gjithmonë minimalja, mundemi me u largua pak më tepër. Por, natyrisht një prej problemeve kryesore që ka quar në këtë maksimalizim të tokës është edhe çështja apo paaftësia, pamundësia e rregullimit të tokës urbane”, thotë ajo.

Sipas saj, problematike janë edhe ndërtesat e reja që po bëhen në brendi të kryeqytetit.

“E kemi edhe rastin e dytë karakteristik të zhvillimit të qytetit që gjithashtu nuk ka shkuar siç duhet, ato janë brenda zonës së qytetit, kemi për shembull Tophanen, Dodonën, edhe aty kur ndërtojmë mbi inekzistues (kontrollone se çka ka thënë) dhe e rrisim shfrytëzueshmërinë e parcelave. Do të thotë prej një shtëpie të vogël kalojmë në një ndërtesë të madhe, ndërkohë që nuk intervenohet në ndryshim të parametrave të rrugës e të qarkullimit. Ne përfundojmë në një situatë të lagjeve po që nuk janë mëhalla, në kuptimin kur them mëhallë e kam fjalën për ato hapësirat të cilat e definojnë, i japin një karakter, e kanë një hapësirë të përbashkët përmbledhëse për qytetin, qoftë ai një kënd i vogël”, thotë Jerliu.

Ndërkaq, Kadri Morina, prodekan në Fakultetin e Ndërtimtarisë, tregon se sa është e rëndësishme respektimi i kushteve të ndërtimit, ndërsa bënë thirrje që inspektorati i Komunës së Prishtinës të jetë më shumë në terren për të inspektuar ndërtimin e ndërtesave.

Morina thotë se në të gjitha ndërtesat ku respektohen normat në fazën e projektimit dhe në fazën e ndërtimit do të krijohen ndërtesa të qëndrueshme edhe në rast se vendi goditet nga ndonjë tërmet.

Sipas tij, çdo anashkalim i normaleve gjatë fazës së projektimit dhe ndërtimit, do të krijojë ndërtesa të paqëndrueshme dhe ndonjë tërmet me shkallë të vogël të riterit do të ishte shkatërrues.

“Ka objekte të cilat më të vërtetë i respektojnë normat në fuqi edhe në fazën e projektimit dhe në fazën e ndërtimit, po ka disa të cilat nuk respektojnë, sidomos në fazën e ndërtimit nuk kanë atë disiplinën e punës, nuk kanë përpara atë obligimin ndaj respektimit të normës, por obligimin ata e shohin vetëm për fitimet e veta. Për shembull rasti, është temperatura minus 7, minus 8, ai shkon betonon, ku me normë nuk lejohet sepse duhet me marrë masa të rrepta në fazën e betonimit. Për fat të keq inspektorati i komunës nuk i kryen obligimet për ta penguar që ai mos me betonuar në ato temperatura të ulëta ose verës në temperaturë 36 gradë, ai shkon betonon, ku nuk lejohet sepse temperaturat që i lejon vet betoni në fazën e ngurtësimit nuk lejon që edhe temperatura e ajrit të jetë e lartë. Prandaj, këtu janë ato problemet në shoqërinë tonë që po na përcjellin”, thotë ai.

Profesori Morina deklaron se është shumë e rëndësishme që të ketë një hierarki të organizimit në punishte, por që sipas tij, kjo rrallë herë përfillet nga ndërtuesit e sotëm.

“Ndërtuesit e sotëm punojnë pa e pasur një hierarki të organizimit të punishtes, një pjesë e tyre. Për shembull një inxhinier e ngarkojnë të jetë edhe brigadier i punishtes, shef i punishtes edhe organ mbikëqyrës, në disa raste e ngarkojnë të jetë edhe projektant, që me ligj është e ndaluar. Mirëpo, investitorët e sotëm shikojnë në qoftë se e ka fituar 1 mijë euro, shikon edhe 1 mijë e 1 euro fitim, do të thotë edhe 1 euro ia shton vetëm për të fituar më tepër. Pra, nuk qanë kokën për atë kualitetin që duhet me e mbërri në ndërtim”, deklaron ai.

Morina bënë një krahasim të ndërtimeve të viteve të fundit me ato që janë bërë në vitet e 90-ta, ku thotë se tani ka problem me hapësirat e vogla që janë ndërmjet ndërtesave.

“Edhe ndihmën në rast të zjarrfikësve ose në raste të ndonjë tërmeti nuk munden disa objekte me iu ofrua për shkak të dendësisë, hapësirës së vogël për qarkullim e kështu me radhë. Pra, ai që e ka bërë urbanizmin e asaj lagje nuk i ka pasur parasysh, e tash është pyetje profitet a çka është në pyetje atu nuk jemi në gjendje as ne me e ditë...Para viteve 90 në pikëpamje urbanistike ka qenë shumë më nivel, për shembull e ki rastin e Ulpianës, që kanë qenë të gjitha organizimi i objekteve më në nivel, po edhe ndërtimi ka pasur kontroll, asnjë objekt nuk ka mundur të punohet pa një shef të objektit, pa pas organin mbikëqyrës dhe pa e bë pranimin teknik. Sot, për fat të keq nuk i kemi ato krejt në nivel, po ka të meta në shumë objekte”, thotë ai.

Profesori Morina, thotë se do të duhej një numër shumë më i madh i inspektorëve që të bëjnë inspektimin nga dita e parë kur fillon puna në një punishte, në këtë mënyrë sipas tij, do të arrihej të ndërtoheshin ndërtesa të qëndrueshme/KsP.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme