Në mungesë të të reshurave, niveli i ujit në liqenin e Badovcit ka rënë për dhjetë metra.
Një situatë e tillë e ka çuar kompaninë e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, që të ndërmarrë edhe hapa për ta stabilizuar gjendjen.
Sipas kryeshefit ekzekutiv të Ujësjellësit “Prishtina”, Ilir Abdullahu, do të ketë reduktime të ujit të pijes, kryesisht gjatë mesnatës, raporton KTV.
E së fundmi, kompania që udhëhiqet nga Abdullahu ka marrë vendim që të shkyçë nga rrjeti konsumatorët që kanë borxh.
Sipas tij, kjo do të ndalte edhe keqpërdorimet, e do të ndihmonte për të dalë nga kjo situatë.
Niveli i ujit, ndjeshëm ka rënë edhe në liqenin e Batllavës.
Mirëpo, për Ujësjellësin Rajonal, një gjë e tillë nuk po shihet si alarmante, derisa shtojnë se gjendja mund të rëndohet vetëm në mungesë të reshjeve.