Arbëri

Grumbullimi i mbeturinave në qendër të Prishtinës do të bëhet nga 5 herë në ditë

Foto: Alban Bujari / KD

Komuna e Prishtinës, deri më tani, në zonën qendër të qytetit kryesisht ka bërë grumbullimin e mbeturinave nga 2 deri në 3 herë në ditë, e në pak raste deri në 5 herë.

Por, nga sot, ky plan operativ do të ndryshojë, duke bërë që mbledhja e mbeturinave në të gjitha lokacionet e kontejnerëve në zonën qendër të bëhet nga pesë herë në ditë.

Këtë e ka bërë të ditur Komuna e Prishtinës, duke thënë se ky plan do jetë në fazën testuese deri më 26 dhjetor për të parë nëse do ketë nevojë për ndonjë ndryshim të vogël, raporton Koha.net.

“Pas zonës qendër do vazhdojmë me zbatimin e planit të ri operativ edhe në zonat tjera të komunës së Prishtinës”, ka thënë Komuna e Prishtinës në njoftimin për media.

Komuna ka falënderuar GIZ-in dhe KRM Pastrimin për bashkëpunimin në këtë reformim “shumë të rëndësishëm” që synon përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave në komunën tonë.