Magazina informative “038” do të rikthehet në ekranin e Kohavisionit nga 25 tetori. Emisioni i cili i dedikohet kryeqytetit vjen në termin të vjetër të transmetimit, çdo të premte mbrëma.
Në edicionin e hapjes së sezonit të ri vjeshtor kryetemë do të jetë buxheti i Komunës së Prishtinës dhe shpërndarja e tij. Se cilat janë projektet kryesore në Prishtinë për vitin e ardhshëm dhe nëse janë ndarë në mënyrë të drejtë mjetet për investime në të gjitha lagjet e kryeqytetit.
Si do të shpenzohen 90 milionë euro të planifikuara për vitin 2020? Sa para u dhanë për shpronësim dhe sa kilometra shesh pritet t'i shtohen qendrës së kryeqytetit? A ka nevojë Prishtina për zgjerim të sheshit qendror dhe sheshe të tjera? Cilat janë 25 vendkalimet që do të kenë siguri më të madhe dhe cila është ideja e Drejtorisë së Shërbimeve Publike për to? Cilat janë problemet me sistemin e ngrohjes në Prishtinë? Pse ngrohja shkon me vonesë te lagjet që u lidhën për herë të parë në rrjetin e ngrohtores së “Termokosit”? A fituan apo humbën asamblistët e Komunës së Prishtinës në garën e tyre për deputet të legjislaturës së ardhshme të Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit? Cili do jetë fokusi i kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, në qeverisjen e tij? A do t'i përkushtohet vetëm kryeqytetit në 2 vjetët e mbetur të mandatit të dytë? Këto dhe jo vetëm, shikuesit do të mund t’i kuptojnë në intervistën me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe materialet e reportazhet e përgatitura nga ekipi i emisionit “038”.
Të premten nga ora 20:00, Prishtina në 60 minuta, vetëm në Kohavision.