Arbëri

Nisin punimet për rregullimin e kompleksit “Qafa”

Descriptive Text

Komuna e Prishtinës ka nisur punimet për rregullimin e kompleksit “Qafa”, e cila parashihet të përfundojë brenda 12 muajve dhe do pasurohet me fusha sportive dhe hapësira të shumta të gjelbërimit.

Punimet nga afër i ka inspektuar kreu i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili këtë projekt e ka konsideruar si ndër projektet më të mëdha urbanistike në kryeqytet.

Sipas tij, rehabilitimi i kompleksit “Qafa” do i kushtojë komunës së Prishtinës, një milion euro, transmeton kp.

“Më në fund ka përfunduar procesi i tenderimit, dhe tash ky projekt i cili është përafërsisht 1 milion euro. Do të jetë ndoshta ndër projektet më të mëdha në Prishtinë të rehabilitimit të komplet një kompleksi siç është “Qafa”, nuk ka pasur investime një kohë të gjatë, këtu ku jemi parashihen fusha sportive, të cilësisë më të lartë sikurse në Arbëri me goma, me fushë të basketbollit, pingpong. Dhe po ashtu ka kënde të lodrave më tutje po ashtu përmirësim të hapësirave pedonale, hapësirave të gjelbërimit, shtim të të gjitha hapësirave. Besoj që brenda diku rreth 12 muajve do fitojë ky projekt dhe do kemi mundësinë që banorët e “Qafës” ta gëzojnë këtë projekt”, tha Ahmeti.

Ndërsa, projektuesja e projektit për rehabilitimi të kompleksit “Qafa”, Yllkë Kosumi u shpreh e lumtur që ka nisur jetësimi i projektit të ideuar nga ajo, i cili do jetë në shërbim të qytetarëve të kompleksit “Qafa”.

“Sidomos kjo hapësirë do jetë normalisht të banorëve, dhe shpresoj se do u pëlqejë të gjithëve, dhe kanë me u realizua punimet mirë“, tha ajo.