Arbëri

Prishtinasit bëhen gati për sezonin e dimrit, shpresat te rryma

Descriptive Text

Me afrimin e sezonit dimëror, qytetarët e Prishtinës kanë filluar t’i bëjnë përgatitjet për përballimin e tij.

Shumë qytetarë, të anketuar nga Radio Kosova, janë ankuar për çmime të larta të lëndëve djegëse, në veçanti të druve. Ata thonë se për shkak të çmimeve të larta të druve dhe thëngjillit këtë dimër kanë vendosur të ngrohen me rrymë.

Një numër i madh i qytetarëve të Prishtinës, në sezonin e dimrit kanë vendosur të ngrohen më rrymë. Derisa ata të cilët janë të kyçur në sistemin e Ngrohjes Qendrore “Termokos”, do të vazhdojnë të marrin shërbime mjaft cilësore edhe këtë vit.

Kështu kanë deklaruar disa nga qytetarët e pyetur a kanë vendosur se me çka do të ngrohen këtë dimër.

Rrahim Sopjani, nga Prishtina, tha se është mjaft i kënaqur me ngrohjen qendrore dhe se nuk nevojë ta ndërrojë.

“Nga “Termokosi” e kemi ngrohjen shumë-shumë të mirë. Nuk kemi telashe hiq. Edhe çmimi është i arsyeshëm,. Meqenëse ngrohja është e mirë, edhe çmimi është i arsyeshëm”.

Ndërsa Shyqyri Thaçi, banor tjetër i kryeqytetit, tha se vite më parë e ka aplikuar ngrohjen me dru dhe thëngjill, mirëpo viteve të fundit po ngrohet me energji elektrike, pasi, sipas tij, banesa kolektive nuk ofron kushte për lëndë djegëse. Thaçi thotë se paguan rreth 100 euro në muaj me ngrohje.

“Nuk kam nxehje, nxehem me rrymë. Në hyrjen time ngrohen dy familje me dru, na bëjnë problem, i lënë drutë poshtë, vijnë bëjnë zhurmë, hi e sende. Me dru, me thëngjill, në banesa nuk bën me u ngroh, por s’ke çka u bënë, komuna si pengon, dërgojnë dru njëri në katin e tretë njëri në katin e pestë, ia nisin verës i blejnë drutë, i bëjnë pluhur pastaj...”

Edhe Remzi Lahi thotë se ngrohet me rrymë, pasi, sipas tij, shpenzimet janë gati të njëjta sikurse ngrohja nga lëndët djegëse.

“Unë e kom me rrymë, nuk është qendrore por me rrymë, kur dua e lëshoj. Mu ngroh tamam 70-80 euro harxhon, por unë jam vetëm me shoqen, e kursej, rreth 50 euro paguaj.”

Ndërkohë, drushitësit në Prishtinë, të cilët nuk u deklaruan publikisht, i thanë Radio Kosovës se shitja e drunjve për sezonin dimëror tashmë gati ka përfunduar, ndërsa çmimi i një metri kub sillet nga 40 deri në 50 euro.

Prishtina edhe pse e posedon ngrohjen qendrore, në këtë rrjet janë të kyçura vetëm lagjet: Qendra, Ulpiana - që e përfshin edhe Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Dardania, Kalabria dhe Kodra e Diellit, ndërsa lagjet e tjera dhe Fushë Kosova aktualisht janë jashtë sistemit.