Arbëri

U nënshkrua kontrata për jetësimin e spitalit të Prishtinës

Prishtinë, 24 shtator - Është nënshkruar sot kontrata për studimin e fizibilitetit për spitalin e Prishtinës, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.

Kontrata u nënshkrua në mes të ministrit të Administratës Publike, Mahir Yagcilar, dhe përfaqësues së kompanisë gjermane me renome botërore, ICME, Andrea Kdolsky, dhe ajo do të hyjë në fuqi menjëherë.

Kompania gjermane përveç studimit të fizibilitetit do të hartojë edhe planin detal të këtij projekti.

Me këtë rast, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i cili mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj kontrate, tha se kjo është pritur gjatë nga qytetarët e Prishtinës.

“Brenda pak muajve, kompania gjermane me renome ndërkombëtare, do të ketë të gatshëm studimin e fizibilitetit që do të na tregojë nevojat dhe kapacitetin e spitalit. Pastaj menjëherë do të hartojë edhe planin detal për të nisur ndërtimin e një spitali të cilin qytetarët e Prishtinës e kanë pritur për një kohë të gjatë”, ka thënë ai.

Përfaqësuesja e kompanisë gjermane ICME, Andrea Kdolsky, ka thënë se është nderuar që të nisë edhe këtë projekt në të mirë të shëndetësisë kosovare.

“Do të sjellim përvojën tonë më të mirë ndërkombëtare në shtetin tuaj në lidhje me Spitalin e Prishtinës”, ka thënë Kdolsky.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, i ka uruar të gjithë qytetarët e Prishtinës duke thënë se ky është një projekt i rëndësishëm për krijimin e shërbimeve më të mira shëndetësore.

Për periudhën trevjeçare 2019-2021 janë ndarë 7 milionë euro për ndërtimin e këtij Spitali me mundësi shtimi të buxhetit nëse studimi i fizibilitetit thotë se ai do të kushtojë më shumë.