Komuna e Prishtinës dhe BERZH-i lansojnë programin për qytetin e gjelbër

Komuna e Prishtinës dhe BERZH-i lansojnë programin për qytetin e gjelbër

24 September 2019 14:25

Komuna e Prishtinës dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) kanë lansuar sot Programin për Qytetin e Gjelbër, përkatësisht projektin për përgatitjen e Planit të veprimit të qytetit të gjelbër për Prishtinën.

Me këtë rast, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti bëri të ditur se kanë identifikuar projektin me të cilin do të fillojnë, e që është investimi në efiçiencë në ndërtesat publike.

Ai tha se ndotja në qytet nuk mund të rregullohet brenda natës, por shkon edhe përtej mandateve. Për këtë, sipas tij, do të investojnë në ndërtesa publike, shkolla, çerdhe dhe ndërtesa administrative.

“Ne e kemi identifikuar projektin me të cilin do të fillojmë, e ai është investimi në efiçiencë në ndërtesat publike. Do të investojmë në 47 ndërtesa publike, shkolla, çerdhe dhe ndërtesa administrative, ku do ta zvogëlojmë faturën e rrymës dhe do të përmirësojmë kushtet që janë në këto ndërtesa. Shpresojmë që me kompaninë, e cila është përzgjedhur nga BERZH, gjatë vitit të ardhshëm ta bëjmë një plan shumëvjeçar, i cili identifikon prioritetet dhe pastaj ne bëjmë një plan të investimeve se ku duhet të investojmë”, tha Ahmeti, raporton ksp.

Ahmeti tha se nga dy raportet e fundit për ndotjen në Prishtinë, del se dy ndotësit më të mëdhenj janë ngrohja individuale me qymyr dhe trafiku me makinat.

Neil Taylor, shef i Zyrës së BERZH në Kosovë, tha se është i lumtur që edhe Prishtina po i bashkohet qyteteve të gjelbra. Ai tha se janë të fokusuar që të ndihmojnë Kosovën, teksa shtoi se këtë vit synojnë që ta përmbyllin me 100 milionë euro, ku dy të tretat janë për ekonominë e gjelbër.

“Ky është hapi i duhur i radhës. Një proces 1-vjeçar që do të identifikojë projektet për investime, që ta bëjë Prishtinën një qytet të gjelbër. Prej se kemi filluar këtë projekt para dy vjetësh, kemi investuar 350 milionë në 32 qytete. Dhe, kemi reduktuar rreth 30 tonë emetim të gazrave për vit, që është ekuivalent me heqjen e 80 mijë veturave nga përdorimi dhe këtë vit shpresojmë që ta përmbyllim me 100 milionë euro, 2/3 që janë për ekonominë e gjelbër”, tha ai.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme