Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala ka mbajtur një konferencë për media lidhur me problemet në Gjimnazin "Ahmet Gashi".
Ajo sqaroi problemin e rrënimit të shkollës duke thënë se ndërtesa nuk i plotëson kushtet për të mbajtur mësim.
"Ne e kemi vlerësuar se objekti nuk i plotëson kushtet për të mbajtur mësim dhe rrezikohet jeta e fëmijëve", tha ajo, raporton KTV.
E në anën tjetër Ferid Fazliu inxhinier nga Drejtoria e investimeve kapitale tha se një kompani ka vlerësuar strukturën e objektit të shkollës dhe ka marrë vendim të rrënohet.
"Kompania e ka bërë një raport në të cilin thuhet që objekti nuk ka stabilitet. Është ndërtuar në vitet e '60 dhe tashmë janë dëmtuar shtyllat e objektit. Nga ky aspekt ata kanë ardhë në përfundim që duhet të rrënohet objekti dhe ndërtohet një i ri”, tha ai.
Edhe
Për sigurinë e objektit të shkollës “Ahmet Gashi” do të bëhet rivlerësim
Më tutje Shala tha se patjetër do të ndërtohet shkollë në atë lokacion.
"Ne kemi dalë nga një takim me këshillin drejtues të shkollës dhe nxënësit e i kemi siguruar se aty do të ketë ndërtim të shkollës”, tha tutje.
Ajo shtoi se dislokimi i nxënësve është bërë për shkaqe të sigurisë. E pastaj ka siguruar se nuk do të ndërtohet një qendër tregtare siç flitej.
Komuna e Prishtinës ende nuk e ka një vendim zyrtar për ndërtim të ndonjë objekti në lokacionin e gjimnazit “Ahmet Gashi”.
Ndërkaq, Adrian Berisha, anëtar i Kuvendit Komunal tha se Lëvizja Vetëvendosje po manipulohet me nxënësit e gjimnazit.
Edhe
Rivlerësim i statikës së Gjimnazit në Prishtinë ose objekt i ri shkollor
"Është e tmerrshme se si nxënësit e shkollës po manipulohen nga paritë politike. Po e kam fjalën për Vetëvendosjen dhe kam fakte për këtë" ka thënë Berisha.
Objekti i Gjimnazit "Ahmet Gashi" pritet të rrënohet për shkak se siç thonë nga Komuna është i vjetër dhe rrezikon nxënësit.