Arbëri

Probleme me ujë në dy lagje në Prishtinë, KRU fajëson palët e treta për dëmtim të rrjetit

Foto: Koha / ilustrim

KRU “Prishtina” njofton se që nga orët e hershme të mëngjesit katet e larta të ndërtesave të reja në lagjen “Arbëria” dhe “Dardania” në Prishtinë, kanë mbetur pa ujë, si pasojë e disa defekteve në rrjetin e ujësjellësit.

Sipas njoftimit, ekipet e mirëmbajtjes janë duke inspektuar linjën teknike në rrjetin e ujësjellësit duke filluar nga lagjja “Arbëria” e deri në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

“Inspektimi po realizohet në dyshimin e bazuar në dëmtim nga disa palë të treta, ku ne si ujësjellës nuk jemi duke u informuar me kohë, derisa ende nuk dihen saktësisht shkaqet e defekteve në rrjet”, thonë ata.

”Derisa të detektohet saktësisht rrjeti, kërkojmë mirëkuptim nga konsumatorët e kateve të larta të dy lagjeve të lartpërmendura”, thuhet tutje në njoftimin e dërguar për media.