Banorët e “Muharrem Fejzës” në kryeqytet ndihen të harruar, kërkojnë të mos bëhet fushatë atje

Fitim Majkovci 17 August 2019 22:00

Rruga “Muharrem Fejza” është njëra nga rrugët më të frekuentuara të Prishtinës.

Mirëpo, kjo rrugë në lagjen “Mati” të Prishtinës, sipas banorëve, përballet me shumë probleme, raporton KTV.

Mes problemeve, përmendet edhe rreziku për qarkullim, si shkak i numrit të madh të automjeteve dhe punimeve afër rrugës e po ashtu, edhe mungesës së vendkalimeve për këmbësorë.

Dren Shahini, përfaqësues i banorëve të kësaj lagjeje, thotë se lagjja ‘Mati’ përballet me probleme e vështirësi të tjera që fillojnë nga lëvizja e lirë në rrugë, e deri te ndriçimi apo mungesa e sinjalizimit në këtë pjesë.

Për rrugën “Muharrem Fejza’’, ai pohon se është punuar, por puna në këtë rrugë, sipas tij, lë shumë për të dëshiruar.

Tutje, Shahini shtoi se si banorët organizojnë mbledhje të shumta me qytetarë, për të diskutuar problemet e kësaj pjese. Por, përkundër ftesave për zyrtarët komunalë, ai tha se banorët e Matit janë injoruar vazhdimisht.

E në prag të zgjedhjeve të reja, Shahini pati një mesazh për të gjitha partitë që synojnë të mbajnë fushata elektorale në këtë pjesë të lagjes Mati.

Përveç rrugës “Muharrem Fejza’’, banorët janë të shqetësuar edhe për mosfillimin e rregullimit të “Rrugës A”, rrugë kjo që, sipas tyre, do të lehtësonte lëvizjen e tyre në këtë lagje.

Ndërsa, lidhur me problemet e rrugës “Muharrem Fejza’’ televizioni ka kontaktuar edhe zyrtarë komunalë, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme