Arbëri

Rrahjet e shkeljet e rregullave të festivalit të birrës detyrojnë MIT-në të mbyll atë

Me rrahje e shkelje rregullash u shoqërua edhe edicioni i shtatë i birrës dhe verës në Prishtinë.

Por, ky festival një ditë para se të përfundonte u mbyll nga Inspektorati i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, raporton KTV.

Sipas ministrit Endrit Shala, Inspektorati ka hasur në disa shkelje, e më kryesorja është lejimi i hyrjes dhe konsumimit të pijeve alkoolike për personat nën moshën 18 vjeç.

Policia e Kosovës, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, bën të ditur se janë iniciuar 4 raste ‘Lëndim i lehtë trupor’, ku janë të përfshirë 7 persona të moshës nga 17 vjeç deri 28 vjeç, por nuk ka pasur të arrestuar vetëm se janë intervistuar.

Për të marrë lejen nga Komuna e Prishtinës, zyrtarë të saj thanë se është dashur që organizatori t’i plotësojë një varg kushtesh, e që është edhe angazhimi i pjesëtarëve të sigurimit për t’i kontrolluar hyrjet.

E, qytetarët kërkojnë organizim më të mirë të festivaleve, sidomos atyre ku konsumohet alkooli.

Organizatorët e këtij festivali, në një postim në faqen e tyre në Facebook thanë se kanë lejuar të hyjnë persona nën moshën 18-vjeçare vetëm në prani të të rriturve.

Gjithashtu, në njoftim shtohet se pjesëmarrësit e brendeve alkoolike kanë qenë të informuar dhe të vetëdijshëm për pasojat në rast se iu shërbehet alkool të miturve.

Edicioni i sivjetmë i birrës dhe verës në Prishtinë, ishte shtati me radhë, ndërsa edhe viteve të kaluara po ashtu është shoqëruar me parregullsi dhe incidente.