Arbëri

Së shpejti nis edicioni i 7-të i “Beer and Wine Festival” në Prishtinë

Duke filluar nga data 5 Korrik deri më 09 Korrik 2019 për 5 ditë/netë në “Platon e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve” në Prishtinë, për të shtatin vit me radhë, mbahet Festivali i Birrës dhe Verës.

Skena sikurse viteve të kaluara do vazhdojë të jetë e hapur për artistët dhe bendet e reja, derisa do të perfomojnë grupe dhe artistë të njohur nga Kosova dhe Shqipëria.

Përmes një komunikate për media nga organizatorët, thuhet se për dallim nga edicionet e kaluara, risi në këtë edicion jubilar do të jetë programi artistik, pasi që 5 ditët/netët e festës së muzikës, verës dhe birrës do të përcillen me emra të ri të muzikës si: Dagz/PM, Ndriqim Gazia & Band, Orient Darabuka, Kpucat e Zeza, Rema Canolli, Erin Go Dance, Kajdi Haruni, Bruno, Latino Band, Burim Radoni, Dj Gjent, Gamblemania, Vesa Smolica, Dj West dhe shumë e shumë të tjerë.

“Befasi tjetër do të jetë pjesëmarrja e brendeve të reja të verërave, ku për herë të parë do të prezantohen në këtë festival, i cili përveç promovimit të muzikës ka për qëllim edhe promovimin e produkteve vendore. Për më tepër, në çdo natë të festival do të ketë lojëra të ndryshme garuese me birra, që do të përcillen me shpërblime të ndryshme për fituesit”, thuhet në njoftim.

Theksohet se çmimi i birrës dhe verës do të fillojë nga 0.50 euro, duke mos përjashtuar happy hour dhe shpërblime të shumta.