Arbëri

Kryeqyteti pa një linjë publike të transportit nga Stacioni i Autobusëve për në qendër

Numri i qytetarëve të komunave tjera që hyjnë në Prishtinë përmes Stacionit të Autobusëve, është i madh.

Shumica e udhëtarëve vijnë nga rajone të largëta të Kosovës dhe për të mbërritur në qendër të kryeqytetit, ata duhet të paguajnë edhe taksi, në mungesë të një linje të transportit publik.

Udhëtarët thonë se lëshimi në qarkullim i një linje të tillë do t’u kursente para dhe do të ishte më i përshtatshëm për ta. Në ditë pune, sipas tyre, çmimi i taksisë brenda Prishtinës arrin vlerën e çmimit të autobusit që ata paguajnë për të ardhur në kryeqytet nga qytetet e tyre, raporton KTV.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, thotë se një linjë të tillë publike e parasheh plani i mobilitetit për kryeqytetin.

Por, problem, sipas Ahmetit, është fakti se nuk mund të fillohet me vetëm një linjë, pasi kërkohet që kjo të bëhet bashkë me disa linja të tjera.

Plani i mobilitetit, që është publikuar në maj të këtij viti, vlerësohet si njëri nga dokumentet më të rëndësishme për rregullimin e transportit publik.

Mirëpo, se investimet që dalin nga ky plan nuk janë realizuar, vërehet nga gjendja e pandryshuar në kryeqytet.